Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi sot një takim me presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkır, me të cilin diskutoi për rëndësinë e sesionit të posaçëm të kësaj Asambleje për luftën kundër korrupsionit.

Gjatë takimit, Gjonaj i shprehu presidentit Bozkır, rëndësinë e përfshirjes në axhendën e Kombeve të Bashkuara si prioritet luftën kundër korrupsionit, për shkak të impaktit të drejtëpërdrejtë që sjell në paqen dhe sigurinë e vendeve anëtare, veçanërisht kur ndërvepron me krimin e organizuar.

Gjonaj tha se bashkëpunimi midis shteteve konsiderohet i rëndësishëm pasi lufta kundër korrupsionit nuk është më vetëm një çështje që qëndron brenda kufijve kombëtarë.

Në këtë takim, ajo ritheksoi prioritetet e qeverisë shqiptare për konsolidimin e shtetit ligjor, nëpërmjet reformimit të sistemit të drejtësisë, ashtu si edhe në luftën kundër korrupsionit, për të cilat janë arritur rezultate domethënëse.

Gjonaj tha se “Presidenti Bozkır inkurajoi vijimin e zbatimit të reformave të ndërmarra, me theks të veçantë atë në drejtësi, përtej sfidave që duhet të përballojmë, me qëllim garantimin e të ardhmes së qytetarëve”.