Vetëm 30% e gjeneve të lidhura me plakjen do të përfshiheshin në rregullimin e orës biologjike, ndërsa 70% e tyre do të ndryshonin aktivitetin si kundërpërgjigje ndaj baktereve në mikrobiomë, sipas një studimi te mizat e frutave, insektet më të përdorura në laboratorët e gjenetikës për studimin e plakjes.

Gjetjet janë botuar në revistën ”iScience” nga studiues nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA.

“Për dekada, shkencëtarët kanë përpiluar listën e gjeneve që mendohet se kontrollojnë procesin e plakjes në të gjitha qeniet e gjalla, nga krimbat te minjtë dhe deri te njerëzit”, theksoi studiuesi Edward Giniger.

“Ne u tronditëm kur zbuluam se vetëm 30% e këtyre gjeneve do të rregullonin orën e brendshme biologjike të kafshëve, ndërsa të gjithë të tjerët duket se reflektojnë vetëm reagimin e trupit ndaj baktereve. Shpresojmë që këto rezultate të ndihmojnë kërkimin mjekësor të kuptojë më mirë forcat që qëndrojnë pas shumë sëmundjeve të lidhura me moshën”, shtoi ai.

Zbulimi lindi pothuajse rastësisht, gjatë një studimi mbi mizat që synonte të kuptonte rolin e mikrobiomës në mbivendosjen e sistemit imunitar, që shkakton dëmtime neurologjike në shumë sëmundje që lidhen me plakjen e trurit.

Për të hedhur pak dritë mbi këtë çështje, studiuesit rritën dhe studiuan miza të porsalindura duke u dhënë atyre antibiotikë për të eleminuar mikrobiomën.

Ata vunë re kështu që mizat pa baktere jetuan më gjatë, 63 ditë kundrejt 57 të mizave të patrajtuara.

“Është një hap i madh, i barabartë me 20 vjet jetë për njerëzit”, specifikon studiuesi Arvind Kumar Shukla.