Zv.ministrja e Turizmit, Ornela Çuçi u shpreh se paralelisht me aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje që po bëhet në bregdet, janë marrë masa edhe për largimin e inerteve, në mënyrë që të mos ketë ndotje mjedisore në zonat me pushues.

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Çuçi tha se oferta shqiptare turistike, krahasuar me ato qe vijnë nga Greqia apo Mali i Zi, është shumë konkurruese. Kjo pasi, sipas saj, Shqipëria e ka menaxhuar shumë mirë situatën e COVID dhe vaksinimit.

E pyetur mbi pritshmëritë për këtë sezon turistik, zv.ministrja tha:

“Shqipëria është vendi i vetëm në të gjithë rajonin ku do të bëhet turizëm pa maska, e që nuk ka kushte shtesë. Kjo është shumë e rëndësishme të specifikohet. Ardhja e vizitorëve është ndjerë. Pritshmëritë tona janë shumë më të mëdha.

I gjithë ky fluks turistësh, që po rritet nga viti në vit, heqim pjesën e pandemisë, do të duhet patjetër që të bëhemi gati që Shqipëria do të kthehet në një destinacion shumë të mirë turistik…Le të pushojmë shqip, në mënyrë që të ndihmojmë maksimalisht turizmin sepse po ndihmojmë 1/4 e prodhimit të brendshëm bruto të vendit tonë”, deklaroi Çuçi.