Javën e kaluar, turneu i golfit “Legends Trophy” u zhvillua në Palma de Mallorca, ku Joan Laporta dhe Pep Guardiola përkuan me njëri-tjetrin. Sikurse bën me dije RAC1, ata jo vetëm luajtën golf, por gjithashtu shfrytëzuan rastin për të folur mbi përforcimet e verës në merkato. Trajneri i Manchester City i ofroi Laportës shtatë lojtarë nga skuadra angleze, të cilët nuk kanë hapësira aktivizimi me kampionët e Anglisë dhe do të pranonin të kalonin te Barcelona.

Një nga futbollistët që do të përshtatej në planet e katalanasve është Aymeric Laporte (27 vjeç). Shkuarja e Rúben Dias në Manchester e ka nxjerrë mbrojtësin spanjollo-francez në prapavijë. Pikërisht te Barcelona janë duke kërkuar një mbrojtës qendror të majtë për të kompletuar pjesën e pasme, me Piqué, Araujo dhe Eric Garcia. Umtiti dhe Lenglet do të provohet të shiten këtë verë.

Në “Etihad” ka lojtarë të tjerë si Bernardo Silva dhe Joao Cancelo, të cilët mund të shkëmbehen me Sergi Roberto dhe Dembélé. Emri i Raheem Sterling, gjithashtu doli kohët e fundit si një mundësi për t’u transferuar te Barça.