Maxhoranca parlamentare ka votuar pro shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës. Në votim kanë marrë pjesë 115 deputetë, pasi nga 122 deputetë kanë munguar shtatë prej tyre.

Pak më herët me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 fletë votimi që ishte e pavlefshme, Parlamenti miratoi raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor.

Plot 16 shkelje kushtetute i gjeti komisioni hetimor presidentit Ilir Meta, duke i propozuar parlamentit shkarkimin.

Nga ky hetim komisioni hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Përmes këtij raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste i drejtohet seancës plenare të 10 qershorit për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti.