Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) Blendi Gonxhe bën të ditur se “Shërbimi ekskluziv i Kontrollit Teknik të mjeteve rrugore në 15 qendra, është rikthyer në administrimin e DPSHTRR me një sërë lehtësish për qytetarët, pa rritur tarifat”.

Disa nga risitë lehtësuese për qytetarin janë: autoveturat e motomjetet e reja (regjistrim për herë të parë/0 km) nuk kolaudohen 3 vitet e para! (çdo mjet tjetër i ri nuk kolaudohet vitin e parë).

Mjetet autovetura e motomjete me km, kolaudohen çdo 2 vjet.

Gjithashtu, taksitë, autoshkollat, mjetet e transportit të udhëtarëve (autobus), mjete transporti speciale, ambulanca dhe mjete transporti mallrash kolaudohen çdo 1 vit!

“Afatet e reja do t’i njihen çdo mjeti me Certifikatë Kontrolli Teknik që ka datë skadence pas datës 23.12.2020”- shprehet Gonxhe. Ndërsa thekson se, mjetet e reja të regjistruara për herë të parë do të përfitojnë periudhën përkatëse pa detyrim kolaudimi.

Gonxhe sjell në vëmendje të përdoruesve të mjeteve rrugore se duhet të kenë kujdes: Mos qarkulloni pa paguar taksat vjetore të mjetit dhe pa rinovuar TPL-në (siguracionin e detyrueshëm) në datat përkatëse çdo 1 vit.

Riparoni në afatet ligjore mjetet rrugore! Kontrolloni mjetin përpara çdo udhëtimi.

“Drejtuesit e mjeteve janë përgjegjës për gjendjen teknike, funksionale dhe sistemet e mjetit përpara çdo lëvizjeje në qarkullim, sipas Kodit Rrugor: Neni 71, pika 5 dhe Neni 78, pika 4”, shprehet Gonxhe.