Një mbledhje e thirrur nga këshilltarët për të diskutuar mbi problematikat e turizmit në Bashkinë Vlorë ka futur në sherr Këshillin Bashkiak dhe kreun e Bashkisë, Dritan Leli.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë kërkuar dhe kanë njoftuar mbledhjen në teatrin “Petro Marko”, ndërsa nga ana tjetër kryetari Leli e ka anuluar atë duke u shprehur se kështu shkelen masat anti-COVID, ndaj mbledhja duhet zhvilluar online.

Leli njofton se Bashkia nuk do të vërë në dispozicion teatrin për mbledhjen.
Ndërsa në një dokument të firmosur nga Sekretari i Këshillit Bashkiak, Agron Gjipali, njoftohet mbledhja për sot në ambientet e “Petro Markos” me rend dite diskutimin mbi shqetësimet e qytetarëve vlonjatë për problematika si pastrimi, ndriçimi apo edhe shërbimet vendore.

Kujtojmë se pak ditë më parë një pjesë e madhe e këshilltarëve në Këshillin Bashkiak të Vlorës kërkuan një mbledhje të jashtëzakonshme për të trajtuar shqetësimet e komunitetit të qytetit bregdetar për gjendjen e shërbimeve vendore. Këshilltarët kanë kërkuar një ballafaqim me kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli, ku të jenë të pranishëm deputetët e qarkut, përfshirë edhe Kryeministrin Rama.

“Situata alarmante me shërbimet bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe me trajtimin e ankesave dhe të problemeve të qytetarëve kërkon reagim të menjëhershëm. Ne po e ndeshim çdo ditë në kontaktet me qytetarët dukurinë e rënies së nivelit të shërbimeve dhe ndjejmë përgjegjësi t’i përfaqësojmë shqetësimet e tyre. Aq më tepër sot kur qeveria dhe shteti kanë bërë gjithçka për të lehtësuar sezonin turistik, Bashkia Vlorë nuk mund të kthehet në delen e zezë të turizmit shqiptar për plehra, gropa dhe indiferentizëm fyes nga pushteti vendor”, thuhej në letrën e drejtuar ndaj Migena Ballës, kryetare e Këshillit Bashkiak.