Humbja zemëron çdo futbollist, trajner apo tifozë. Më shumë se të tjerët vuan Cristiano Ronaldo kur nuk arrin rezultatin e dëshiruar. Njësoj ndodhi edhe mbrëmjen e kaluar në takimin Belgjikë-Portugali. “Djajtë e Kuq” fituan 1-0 falë golit të Thorgan Hazard, rezultat që solli fundin e aventurës në Euro 2020 për Portugalinë dhe sulmuesin e Juventusit.

Pasi u takua me Romelu Lukakun menjëherë sapo përfundoi ndeshja, 36-vjeçari nuk e fshehu aspak zhgënjimin e tij, duke hedhur në tokë dhe shkelmuar shiritin e kapitenit.

Video është regjistruar nga një tifoz i pranishëm në Sevilla dhe menjëherë kanë nisur kritikat ndaj veprimit të pesë herë fituesit të “Topit të Artë”. Një anëtar i stafit të ekipit kombëtar të Portugalisë e mori menjëherë shiritin dhe u përpoq me një goditje në shpinë t’i jepte pak moral Ronaldos së demoralizuar dhe zhgënjyer.

Nuk është hera e parë që lojtari i Juves vepron në këtë mënyrë, një gjest i ngjashëm ndodhi edhe marsin e kaluar, me rastin e ndeshjes kundër Serbisë në Beograd, ku CR7 iu mohua një gol i rregullt.