Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mori pjese në Samitin e Dytë të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Parlamenti Europian, në Bruksel. Në Samit morën pjesë edhe Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme, David Mcallister, Kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, Presidenca e ardhshme e BE-së, Igor Zorčič. Samiti u kryesua nga Presidenti i Parlamentit Europian, David Maria Sassoli. Samiti diskutoi mbi përshpejtimin e ritmeve të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si edhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar midis vendeve të rajonit. Gjatë fjalës në takimin e Krye parlamentarëve me Kryetarin e Komisionit për Çështjet e Jashtme, David Mcalliste, i cili i parapriu Samitit, Kryetari Ruçi nënvizoi se “Kuvendi, Qeveria dhe institucionet shqiptare kanë zbatuar me përpikmëri të gjitha detyrat që parashikohen në rekomandimet e Komisionit dhe Këshillit Europian, lidhur me Reformën në administratën publike, Reformën në drejtësi, Luftën kundër korrupsionit, Luftën kundër krimit të organizuar dhe rritjen e shkallës së zbatimit të të Drejtave të njeriut.

Ne kryem në kohë reformën zgjedhore, me konsensusin e opozitës parlamentare dhe përfshirjen e opozitës jo parlamentare. Kjo reformë i parapriu zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat u zhvilluan të qeta dhe me standarde të larta europiane. Zgjedhjet janë vlerësuar mjaft pozitivisht nga BE, Shtetet e Bashkuara dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila në këto zgjedhje kishte vëzhguesit e saj. Kuvendi i Shqipërisë mbështet, ndjek dhe ka plotësuar të gjitha detyrimet e veta për avancimin e reformës në drejtësi, zbatimit të procesit të vettingut dhe ndërtimit të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Vendosmëria e Kuvendit ka detyruar edhe institucionet e tjera, sidomos ato të sistemit të drejtësisë, të shpejtojnë ritmet e reformës.

Përveç kësaj, Kuvendi ka realizuar edhe detyrimet e drejtpërdrejta të procesit të integrimit. Në fillim të Samitit, e mori fjalën Presidenti i Parlamentit Europian, z. David Sassoli, nënvizoi se “BE dhe PE do të vazhdojnë të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në përballimin e pandemisë Covid 19 dhe të sfidave të saj. Pandemia nuk na pengoi të shikojmë drejt të ardhmes dhe të ruajmë zgjerimin e BE-së si një prioritet të BE-së dhe PE-së. Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE, në këtë shtëpi të përbashkët europiane, dhe ne po punojmë që integrimi i rajonit të përshpejtohet dhe të mos shtyhet në kalendaret greke. Ne do të fuqizojmë bashkëpunimin parlamentar në funksion të procesit të zgjerimit dhe konsolidimit të vlerave europiane. Bashkimi Europian është një shpresë për Ballkanin Perëndimor, por edhe Ballkani Perëndimor është një shpresë për Bashkimin Europian.”

Në ndërhyrjet e tij në Samit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, falenderoi Presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli, për vizionin dhe kontributin e tij për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të Ballkanit Perëndimor, si edhe vlerësoi Presidencën Kroate, Gjermane dhe Portugeze të BE-së, të cilat e mbajtën përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në krye të prioriteteve të tyre. Kjo mbështetje ka dhënë rezultate. Sot, një vit e gjysmë pas Samitit të Parë, dy nga shtetet e rajonit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vijnë në këtë sallë me vendimin për çeljen e negociatave

Por vetëm kaq. As këtë radhë nuk u caktua data e thirrjes së Tryezës Ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kjo ndodhi për shkaqe që nuk kanë lidhje me performancën integruese të vendeve tona. Ne, shqiptarët, e kemi bërë zgjedhjen tonë europiane, që kur heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti, u bë parzmore e mbrojtjes së Krishtërimit dhe Europës nga Perandoria Otomane. Ideologjia e Rilindjes dhe Pavarësisë së Shqipërisë ishte natyrshëm e lidhur me identitetin dhe destinacionin tonë europian, e shprehur në sentencën emblematike largpamëse: Për shqiptarët dielli lind atje ku perëndon.

Me avancimin e frymës dhe standardeve europiane në Ballkanin Perëndimor në shumicën e vendeve tona, kemi kaluar në një situatë të re të raportit tonë me Bashkimin Europian. Tipari kryesor i kësaj kësaj situate të re është se nëse më parë zgjerimi varej prej plotësimit të standarteve nga vendet tona, tashmë vendim-marrja po bëhet vulnerable sepse varet tërësisht nga qëndrimi i disa vendeve anëtare, qëndrim i cili nuk lidhet domosdoshmërish me standardet dhe reformat në vendet tona.

Para disa vitesh, vonimi apo bllokimi i agjendës sonë europiane ndodhte ngaqë Bashkimi Europian kishte objeksione realiste për standardet tona. Sot pengohemi thjesht nga kërkesa të ekzagjeruara që nuk kanë të bëjnë me standardet dhe reformat, por me kapricot e ndonjë prej fqinjëve tanë. Para disa vitesh, burokratët europianë të dhënë pas numrave, me ose pa të drejtë, kërkonin më shumë realizëm nga politikanët dhe ligjvënësit europianë në qasjen e tyre ndaj vendeve tona. Sot konstatojmë me kënaqësi se fryma europiane e liderëve europianë e ka mundur burokracinë. Por frymës europiane i ka dalë një rival i ri: prej disa vitesh po ia marrin frymën inercitë etnocentrike dhe nacionaliste.

Deri para pak kohësh, kalendari europian e Ballkanit Perëndimor, ishte në varësi të agjendës elektorale të disa vendeve anëtare. Sot këto vende meritojnë mirënjohjen tonë se, përmbi ethet elektorale, vendosën nevojën për një Europë të të gjithë europianëve. Deri para pak vitesh, vendet, popujt dhe qytetarët tanë paragjykoheshin prej disa vende europiane si “dele të zeza” të Europës. Sot këto vende meritojnë mirënjohjen tonë sepse janë çliruar prej këtyre paragjykimeve. Deri para pak vitesh, aspiratat europaiste të vendeve të Europës së Re pengoheshin nga standardet e rrepta të vendeve të Europës së Vjetër. Sot vendeve tona i vendosen artificialisht pengesa prej vetë Europës së re.

Ne nuk e ndryshojmë dot mënyrën e funksionit të BE-së, as në raport me veten, as në raport me Ballkanin Perëndimor. Ajo që ne kemi në dorë është të afrohemi më shumë me njeri-tjetrin dhe ta shndërrojmë rajonin tonë në një hapësirë lirie të njerëzve, ideve, mallrave dhe kapitaleve. Ta shndërrojmë rajonin tonë në një hapësirë zhvillimi e mirëqenieje. Ta kthejmë Ballkanin, veçanërisht Ballkanin Perëndimor, nga një gadishull ku sundonin mëritë etnike e fetare, në një gadishull që rrezaton frymën dhe identitetin perëndimor.

Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë i është bashkuar idesë progresive dhe realiste të Shengenit rajonal. Shengeni i Ballkanit Perëndimor nuk nuk është as kundërvënie, as alternative, por një plotësues i Shengenit të Bashkimit Europian, një mundësi lirie, zhvillimi, mirëqenieje, komunikimi, miqësie e bashkëjetese.

Qëndrimi i fundit ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut na rikujton se rregulli i konsensusit nuk duhet të pengojë avancimin drejt integrimit europian. E drejta e vetos në vendim-marrje nuk duhet dhe nuk mund të shkojë kundër realitetit. E drejta e vetos duhet të shoqërohet apo verifikohet nga mekanizma zhbllokues. Përveç kësaj, bën sens që veto mund të aplikohet kur ka rezerva për standardet e integrimit, por jo për çështje dypalëshe.

Vendim-marrja për progresin e dukshëm, të matshëm e të kontrollueshëm në arritjen e standardeve europiane nuk mund as të ndalohet, dhe as të vonohet nga çështje dypalëshe midis vendeve të caktuara. Megjithatë, ne, shqiptarët, nuk jemi as të inatosur, as të dëshpëruar, as pesimistë. Për ne është thelbësore që kalendari ynë evropaist të realizohet në Shqipëri. Ne po e ndërtojmë Europën këtu ku jemi. Ne po kryejmë reformat dhe po zhvillojmë vendin, për të krijuar të mira publike e cilësi mirëqenieje për qytetarët tanë dhe jo për të marrë “nota” të mira nga Bashkimi Europian apo anëtarët e tij.

BE mbetet ylli ynë polar dhe busulla e pandryshueshme, në kohë të mira dhe të vështira. Ne kemi vetëm një Plan A për destinacionin tonë dhe ky është Bashkimi Europian”, theksoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Në fund të Samitit, u nënshkrua një Deklaratë e Përbashkët e Kryetarëve të parlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidentit të Parlamentit Europian dhe Kryetarëve të Parlamenteve të Portugalisë, Presidenca aktuale, dhe Sllovenisë, Presidenca e ardhshme e BE-së, në të cilën u rikonfirmua roli kryesor i parlamenteve në procesin e zgjerimit dhe u angazhuan te punojnë së bashku edhe në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2021.