Në Korçë nisi puna për ndërtimin e godinës së re të shërbimit të transportit rrugor për të garantuar jo vetëm shërbim cilësor dhe të shpejtë, por edhe në kushte optimale për punonjësit dhe qytetarët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe vizituan këtë qytet nga ku bënë të ditur se ky është një plan për zhvillimin e të gjitha kapaciteteve për shërbim në çdo qytet të Shqipërisë.

Sipas ministres Balluku, ka qenë një sfidë rritja e cilësisë të shërbimeve në transportin rrugor.

“Kjo është një drejtori e rëndësishme, pasi mbulon mbi 120 mijë kërkesa shërbimesh në vit. Po zbatojmë prej më shumë se dy vitesh një plan për zhvillimin e të gjitha kapaciteteve për shërbim në çdo qytet të Shqipërisë, këto kapacitete kanë të bëjnë edhe me ndërtesat ku ofrohet shërbimi”, tha Balluku.

Sipas ministres, ka qenë sfidë e madhe rritja e cilësisë të shërbimeve në transportin rrugor dhe ky proces nuk konsiston vetëm te godinat.

“E kemi nisur nga arkivat, ku diku i kemi gjetur me peshën duke shkatërruar ndërtesat si rasti në Fier, apo nën ujë si rasti në Laç”, deklaroi ministrja.

Ministrja tha se tashmë në drejtoritë rajonale të Shkodrës, Fierit, Tiranës apo në Laç ofrohet një shërbim sipas standardeve më të larta dhe në ambiente modern.

“Falë investimeve të kryera kemi zvogëluar kohën për marrjen e shërbimit ashtu si dhe është përgjysmuar kosto për qytetarët”, tha Balluku.