Nga Mero Baze/ Lobistët e Sali Berishës kanë zgjedhur një strategji jo të keqe për të bërë propagandë, por të dëmshme për Berishën në plan afatgjatë. Ata po bëjnë sikur duan të kuptojnë pse është damkosur klienti I tyre Sali Berisha, dhe në të vetmen derë që nuk trakasin është dera që ka dosjen.

Lee Michael Zeldin, kongresmeni republikanë I New Yorkut, I mbështetur nga lobi shqiptar aty, në pyetjet direkte që kishte për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, bëri kujdes të bënte retorike, dhe të shmangte të vetmen oferte të hapur të Sekretarit Blinken që ai mund të vinte të lexonte dosjen e Berishës në Departament të Shtetit.

Por atij nuk I duhet dosja e Berishës. Askujt prej lobistëve dhe avokatëve të Berishës nuk I duhet dosja e tij, që është në Departament të Shtetit. Dosja është në dispozicion për personat nën betim në SHBA dhe një kongresmen mund ta lexojë atë. Por askush nuk do ta lexojë. Të gjithë kanë nevojë për një përgjigje publike që është thënë qysh ditën e parë, që për dosjen nuk jepet informacion publik.

Dhe kjo tani ka filluar të përdoret si avantazh dhe jo si problem, siç është në të vërtet.

Dhe e gjithë kjo bëhet që Berisha të kaloj fazën e parë të krizës në marrëdhëniet publike në Shqipëri dhe t’u mbush mendjen disa trushpëlarëve të vet, se po e zgjidh këtë çështje me avokat në Francë dhe SHBA.

Por Berisha nuk e ka problemin këto dy muaj. Ajo që I ka ndodhur Berishës është si një lak që sa vjen e ngushtohet me kalimin e kohës. Në SHtator, atij do t’i duhet të marr vendim të qëndroje jashtë PD apo ta marrë atë peng duke qëndruar në grupin e saj parlamentar. Deri atëherë dhe avokati nga Franca do ti sjell përgjigje, që gjykata nuk pranon tia marrë në shqyrtim kërkesën, dhe lobistët e tij në SHBA, do lodhen duke thënë na lexoni publikisht dosjen, ndërkohë që Sekretari I Shtetit do t’ua përsëris se e kanë në dispozicion në zyrë.

Më tej akoma djalit të tij, do ti duhet të paguaj shumë shtrenjtë artikuj idiot, tek “55” e SHBA, për ta përkthyer pastaj tek Syri, që shtypi amerikan po mbron Berishën. Dhe e gjithë kjo do të jetë një dëshmi më shumë se familja e tij përdor pare të zeza edhe për tu mbrojtur nga akuza për pare të zeza.

E vërteta është se askush nuk dyshon se çfarë ka dosja e Berishës. Shqiptarët e dinë më mirë se SHBA se çfarë duhet të ketë në atë dosje se janë dëshmitarë të saj. Zyrtarët amerikan po ashtu e dinë se e kanë mbushur vetë.

Lobistët e Berishës, po ashtu e dinë se si avokat të këtij klienti, janë interesuar të mësojnë se si mund ta mbrojnë shtrenjtë tanimë këtë klient. I vetmi problem I tyre është të mos dal dosja nga Departamenti drejt ndonjë gjykate në Shqipëri. Deri atëherë ata do bëjnë sikur pyesin çfarë ka dosja, dhe sa herë t’u thonë, “ejani lexojeni” do bënë sikur nuk e dëgjojnë.

Kaq është e gjitha që mund të bëjnë tani për Berishën Natyrisht duke llogaritur që kjo është një punë që kushton shtrenjtë.