Në kuadër të procesit të Fiskalizimit, subjektet kanë nisur të përdorin portalin Self Care duke i bërë transaksionet e tyre më të lehta. Ministrja e Finanacve dhe Ekonomisë, Anila Denaj, solli shembullin e Megit me dyqanin e saj “Santa Margherita” në Durrës, që e ka nisur më herët zbatimin e procesit të Fiskalizimit sesa afati i përcaktuar.

“Subjekti po përdor portalin Self Care duke i bërë transaksionet e tij më të lehta”- shprehet Denaj.

Sipas saj, për transaksionet Biznes-Biznes zbatimi i Fiskalizimit nis prej 1 korrikut dhe nga 1 shtatori për ato Biznes – Konsumator.
Ndërkohë biznesi mund të përdorë falas portalin Self-Care për shitjet me para në dorë.

Kushtet që duhet të plotësojë biznesi për të përdorur portalin Self-Care janë: Tatimpaguesi duhet të jetë i regjistruar si person fizik i vetëpunësuar i vetëm, të ushtrojë aktivitetin vetëm në 1 adresë biznesi, nuk duhet të jetë me përgjegjësinë tatimore TVSH dhe duhet të jetë i regjistruar për tatim të thjeshtësuar mbi fitimin.

Portali SelfCare aksesohet nëpërmjet e-Albania. Me fillimin e zbatimit të procesit të Fiskalizimit, aplikimi nëpërmjet këtij portali bëhet i nevojshëm për të kryer procedurat e raportimit për Fiskalizimin nga të gjithë tatimpaguesit.