Vaksinat po funksionojnë gjithashtu edhe kundër variantit Delta, por duhet të jemi të sigurt që edhe doza e dytë të jetë administruar gjithashtu, deklaroi drejtori ekzekutiv i EMA-s, Emer Cooke.

Varianti Delta do të jetë gjithnjë e më i rëndësishëm për sa i përket përhapjes në Europë, theksoi Cooke, duke përsëritur besimin te vaksinat si një mjet mbrojtjeje.

Varianti Delta i koronavirusit, shumë përhapës, do të përbëjë 90% të rasteve të reja të COVID-19 në Bashkimin Europian deri në fund të gushtit, theksoi më herët Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), që bëri thirrje për kujdes.

“Është shumë e mundur që varianti Delta të qarkullojë gjerësisht gjatë verës, veçanërisht tek të rinjtë që nuk janë vaksinuar”, theksoi drejtoresha e agjencisë europiane për sëmundjet, Andrea Ammon.