Eden Hazard iu është kundërpërgjigjur thashethemeve që sugjerojnë se ai mund të pozicionohet për një kthim te Chelsea. Ylli belg saktëson se nuk e sheh veten larg Real Madridit, edhe pse në dy sezone më këtë të fundit ka bërë një “vërrë në ujë”. Më shumë ka qenë i dëmtuar se sa ka luajtur, duke mos justifikuar asgjë nga 100 milionë eurot e transferimit nga Chelsea dhe pagën stratosferike që merr.

Duke diskutuar mbi të ardhmen e tij, Hazard nënvizoi: “Unë nuk e shoh veten larg Real Madridit. Kam tri vite në kontratën time dhe kur të jem 100 për qind do të jap më shumë pëe ekipin. E di mirë se çfarë duhet të bëj. Tani për tani jam i përqendruar tek Europiani, por më pas do të bëj gjëra të mëdha për Real Madridin”.

Në fakt, pyetja ngrihet: A do ta mbajë Hazardin me këtë produkt Real Madridi? Gjigandët e La Liga-s investuan shumë për të gjatë verës së vitit 2019, pasi e panë atë të luante shtatë vite me Blutë e Londrës. Ai ka qenë i kufizuar në vetëm 43 paraqitje për “Los Blancos”, me 5 gola të shënuar, me dëmtime të mërzitshme dhe tejet të rregullta, çka ka krijuar një situatë alarmante.

Këto fakte kanë nxitur spekulime për largimin e tij drejt “Stamford Bridge”, por vetë belgu mendon ndryshe: “Kam pasur një sezon shumë të pafat. Gjithmonë kam qenë një lojtar shumë i fortë kur kam pasur qëndrueshmëri. E di që jam afër nivelit tim më të mirë tani dhe shpresoj të mos lëndohem përsëri. Kam disa vite të mrekullueshme përpara”.