Delegacioni i BE ka reaguar për akuzat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit lidhur me ambasadorin Luigi Soreca ku u tha se sipas informacioneve që kishin marrë nga një taksixhi përballë Gjykatës Kushtetuese, diplomati i lartë po lobonte në vendimin e organeve të drejtësisë.

Duke i konsideruar shpifje, delegacioni i BE-së nënvizon se rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat.

Njoftimi i plotë/Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021.

Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.

Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media./Tema