Përgjatë vizitës në Washington DC, ministrja u prit në disa takime nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo u prit në Departamentin e Drejtësisë nga Bruce C. Swartz, Zv. Asistenti i Prokurorit të Përgjithshëm dhe Këshilltar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Nga DASH ministrja zhvilloi takime me David Kostelancik, Drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit dhe Jorgan K. Andrews, Zv. Asistent i Sekretarit të Shtetit në Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të ligjit.

Në këto takime shumë të rëndësishme me përfaqësuesit e institucioneve më të larta të Shteteve të Bashkuara u diskutua gjerësisht mbi reformën në Drejtësi, sfidat dhe rritjen e mbështetjes të asistencës teknike të SHBA-së për konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe hapat që duhen ndjekur për suksesin e kësaj reforme. Ministrja Gjonaj falenderoi për mbështetjen e madhe që SHBA i ka dhënë Shqipërisë për reformën në Drejtësi nëpërmjet Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, OPDAT-it dhe IMO-s.

Gjonaj garantoi vullnetin e plotë dhe të patundur të qeverisë shqiptare për zbatimin e saj, jo vetëm si prioriteti i agjendës së vendit në kuadër të integrimit në BE, por edhe si prioritet i qëndrueshëm i qeverisë. Ministrja Gjonaj u shpreh se pas plotësimit të kuadrit ligjor, garantimit infrastrukturor-buxhetor, ngritjen e institucioneve të reja dhe plotësimin e vakancave në sistemin e ri të drejtësisë janë dhënë rezultatet e para të kësaj reforme, dhe tashmë Shqipëria ndodhet në një moment kyç të konsolidimit të saj.

Për këtë arsye, Gjonaj u kërkoi partnerëve amerikanë vijimësinë dhe rritjen e asistencës teknike për të forcuar kapacitetet dhe rezultatet e kësaj reforme. Bruce C. Swartz i garantoi ministres Gjonaj se Departamenti i Drejtësisë ka qenë dhe do të vijojë të jetë mbështetës i reformës në Drejtësi dhe u shpreh i gatshëm për rritjen e asistencës teknike për suksesin e plotë të kësaj reforme.

Ai u shpreh besimplotë për vijueshmërinë e partneritetit dhe bashkëpunimit shumë të mirë me qeverinë shqiptare për ecurinë e reformës në Drejtësi. Swartz vlerësoi vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të çuar përpara rezultatet e reformave të ndërmarra, dhe shprehu vlerësimet dhe mbështetjen e tij.

Gjithashtu në takimet e zhvilluara me zyrtarët e Departamentit të Shtetit, David Kostelancik dhe Jorgan K. Andrews, Ministres Gjonaj iu garantua vijueshmëria e mbështetjes për reformën në Drejtësi.

Ata gjithashtu përcollën vlerësimet e tyre më të larta për rezultatet e deritanishme nga ana e Shqipërisë në këto procese të rëndësishme të jetësimit të reformës në Drejtësi.

Vëmendje e veçantë në takimet e zhvilluara iu dedikua edhe përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së shtetit shqiptar në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për luftën kundër korrupsionit, ku ministrja Gjonaj paraqiti ecurinë e reformave edhe si Koordinatore Kombëtare Kundër Korrupsionit.

Zyrtarët amerikanë vunë theksin mbi rëndësinë dhe ecurinë e reformave të ndërmarra nga Shqipëria në luftën ndaj korrupsionit, si dhe shprehën vullnetin e tyre për të rritur bashkëpunimin në këtë sfidë të përbashkët pasi antikorrupsioni është tashmë edhe një nga prioritetet e SHBA-së në vijim të deklaratës së Presidentit Joe Bieden.

Gjatë takimeve u diskutua edhe mbi reformën penitenciare, rritjen e bashkëpunimit për forcimin e kapaciteteve në burgje, forcimin e bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar duke shkëmbyer edhe eksperiencat në lidhje me sfida të përbashkëta si pastrimi i parave apo konfiskimi i pasurisë së krijuar nga veprime kriminale.

Gjithashtu zyrtarët amerikanë vlerësuan miratimin nga Kuvendi të marrëveshjes së ekstradimit me SHBA-në, duke u shprehur se hyrja në fuqi e saj do të jetë një mekanizëm që do të shërbejë në luftën ndaj krimit transnacional.