“Do të jetë qershori i vendimeve”, tha komisioneri Oliver Varhelyi duke iu referuar pyetjes nëse Shqipëria do të sakrifikohet për shkak të problemeve që ka vetë BE.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh se i kanë bërë detyrat, duke theksuar se prej tre vitesh KE e ka thënë këtë gjë, por ka pasur arsyet e veta që nuk kanë lidhje aspak me Shqipërinë.

Ndër të tjera theksoi që nuk ka asnjë shqetësim apo arsye për të thënë që po sakrifikohen. Ndër të tjera thotë se ka vetëm një ngërc mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ndaj presin mbledhjen e Këshillit për të parë nëse do të ketë apo jo zhvillime.

Rama: Detyrat e shtëpisë të integrimit europian janë rruga për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë europiane në sistemin e saj të drejtësisë, në sistemin e saj të mirëqeverisjes, të shërbimeve ndaj qytetarëve, në sistemin e saj të përgjithshëm demokratik, në sensin cdo element.

Për sa kohë KE, jo këtë vit por prej 3 vitesh na ka thënë që detyrat i keni bërë si duhet dhe i ka thënë që të pranojë rezultatin e detyrave dhe të hapë fazën tjetër të procesit, ne jemi të qetë. KE ka pasur arsyet e veta që nuk kanë fare lidhje me ne, sado të thonë ata që janë me ne, sot fatmirësisht nuk ka kontestim për detyrat tona as nga Komisioni, as nga shtetet anëtare.

Gjërat janë të lidhura me njëra-tjetrin, ka një ngërc mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe mënyra si funksionon sistemi i brendshëm i BE kërkon që ky ngërc të zgjidhet para se të vazhdojë procesi. Në këtë moment nuk kemi asnjë shqetësim apo arsye për të thënë që po sakrifikohemi. Këtu jemi me BE për të vazhduar të ardhmen e shqiptarëve edhe nga pikëpamja e infrastrukturës dhe e gjithë elementëve të ekonomisë. Ka një pyetje që deri kur vazhdon kjo histori.

Sot të presim mbledhjen e Këshillit, të shikojmë do të ketë apo jo zhvillime, nuk ka asnjë minutë të humbur nga ana jonë.