Në kuadër të “Ditës së Vëzhguesve” në poligonin kombëtar të Bizës në përfundim të stërvitjes “Immediate Response 21”, pjesë e paketës së stërvitjes “Defender Europe 21”, efektivë të Batalionit II të Këmbësorisë kryen demonstrime të përbashkëta me efektivët komando, Forcat Speciale dhe efektivë të Forcës Ajrore.

Ky aktivitet u ndoq nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, Komandanti i FT gjeneral brigade Arben Kingji, komandantë Forcash, drejtorë të SHPFA, si dhe atashetë ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s, të akredituar në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Bajram Begaj vlerësoi përkushtimin e të gjitha këtyre forcave elitë të FA në përfundim të stërvitjes historike “Defender Europe 2021, duke shtuar se kjo nuk do të jetë e fundit.

“Ne të gjithë e dimë që për të ndërtuar dhe zhvilluar aftësi dhe kapacitete ushtarake të besueshme, për të kryer detyra, misione dhe operacione në përgjigje dhe reagimit ndaj krizave që mund të ndodhin sot, jo vetën në vend, por edhe në zonën euroatlantike, janë të rëndësishme teknika dhe pajisjet, armët dhe sistemet, dhe sigurisht mbështetja logjistike e financat. Këtë e dëshmoi edhe stërvitja e madhe “Defender Europe 21”. Por, në të gjitha aktivitetet e kryera gjatë kësaj stërvitje, besoj se më e veçanta dhe më e rëndësishmja janë njerëzit tanë: ushtarët, nënoficerët dhe oficerët. Stërvitja njëmujore e zhvilluar këtu dhe e mbyllur me këtë demonstrim shpreh qartë arritjet dhe vlerat, kur si aleatë, por edhe si anëtarë të NATO-s, bashkohemi për të punuar, për t’u trajnuar dhe bashkëpunuar arrihet një ndërveprim operacional i sigurt dhe i qëndrueshëm”, u shpreh gjeneralmajor Begaj.

Duke e cilësuar një mundësi të artë për Forcën Tokësore, angazhimin në ‘Defender 2021”, Komandanti i FT gjeneral brigade Arben Kingji u shpreh se “angazhimi jonë në këtë stërvitje së bashku me trupat e Brigadës 53-të amerikane u mundësoi efektivëve tanë të trajnohen me skenarë të vërtetë luftimesh duke praktikuar procedurat dhe manovrat që janë thelbësore për gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë tonë”.

Efektivët kryen në këtë stërvitje të përbashkët demonstrime të tilla si: goditje objekti nga toka dhe ajri, lirim pengu, alpinizëm, qitje me snajper, qitje me mortaja, veprimet e skuadrës në sulm dhe pas rënies në pritë, dhënien e ndihmës së parë në fushëbetejë si dhe evakuimin e të plagosurve.