Banka Botërore parashikon që Shqipëria do të ketë një rritje ekonomike prej 4.4 % gjatë 2021-shit. Institucioni më i rëndësishëm ndërkombëtar financiar, në raportin e vet të fundit të qershorit të perspektivës ekonomike globale ka vlerësuar rritjen ekonomike të Shqipërisë si për vitin 2021 ashtu dhe për vitin 2022.

Banka Botërore vlerëson në raport se, ekonomitë e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të nxiten nga përshpejtimi i reformave strukturore në përgatitjen për anëtarësimin në BE-së. Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore “Perspektiva ekonomike globale 2021″ (GEP21), ekonomia e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore parashikohet të rritet më fuqishëm se parashikimet, me 3.9 % në 2021-shin, pjesërisht falë edhe përmirësimeve në zonën euro”.

“Megjithatë, e ardhmja paraqitet sfiduese për shkak të përkeqësimeve që lidhen me pandeminë, politikat më shtrënguese makroekonomike dhe pasiguritë politike e tensionet gjeopolitike”, thekson BB në raportin e saj.