Duke e njohur Ibrahimovic, “story” e tij e fundit në Instagram mund të përfaqësojë një përgjigje ndaj postimit të fundit të Lukakut i cili, pasi fitoi kampionatin, e shpalli veten “mbret” të Milanos. Zlatan ndau një filxhan kafeje shumë të veçantë për ndjekësit e tij: me shkumën e kafesë është formuar imazhi i numrit 11 kuqezi, përfaqësuar në detaje, nga prapa dhe me krahët e ngritur, në një moment ngazëllimi për golin.

Ky gjest është lexuar nga shumë si një përgjigje ndaj rivalit numër një të “kushërinjve” të Interit, me të cilin pati përplasjen e ashpër e të famshme në derbin e fundit të Milanos. Ibrahimovic nuk shtoi asnjë koment në foto. Nga ana tjetër, Lukaku, duke postuar foton e një ngazëllimi, që daton në derbin e fundit të fituar 3-0, shkroi: “Zoti ynë ka kurorëzuar ‘mbretin’! Tani përkuluni para ‘mbretit’ të Milanos”.

Ndërkohë sot, në një intervistë për mediat italiane, belgu sqaronte sherrin verbal me suedezin: “Ishim në disavantazh 1-0, humba një gol, u zemërova pak. Fjalët e tij më goditën. Nuk jam i kënaqur që kam reaguar kështu, por nuk jam ai që nuk hap rrugë. Jam modest dhe i qetë, jam fitues dhe luftoj deri në vdekje për shokët e mi të skuadrës dhe për fitoren”.

Sulmuesi i Interit vlerësoi njeriun Ibrahimovic: “Një lojtar i shkëlqyeshëm, ka fituar kudo që ka luajtur. Ai ka shënuar më shumë se 500 gola. Edhe si njeri, për aq sa e kam njohur te Manchester United, ka vlera të mira. Na duhen lojtarë të këtij niveli në Serie A. Ibra dëshiron të fitojë për veten e tij, unë dua të fitoj për Interin, Ronaldo për Juven, tani është edhe Mou te Roma. Të gjitha këto janë gjëra të mira për Italinë. Niveli është ngritur, le të shpresojmë që Interi të fitojë përsëri”.