Gjon Muharremaj, shqiptari që përfaqësoi Zvicrën këtë vit në “Eurovision”, arriti të rrëmbente vëmendjen e gjithë europianëve. Gjon’s Tears fitoi vendin e tretë në natën finale, ndërkohë që nga juria profesioniste grumbulloi pikët maksimale. Ai mori edhe mbështetjen e Shqipërisë, duke marrë 12 pikë prej vendit tonë.

Në momentin e dhënies së pikëve, Gjoni bëri shqiponjën dykrenare, diçka që nuk u prit fare mirë nga serbët. Mediat serbe sulmuan djaloshin shqiptar me artikuj e komente negative pas pjesëmarrjes së tij në “Eurovision”. Gjoni bëri shqiponjën kur Shqipëria i dha 12 pikë, e sipas tyre ky ishte një provokim, e madje një skandal. Me këtë gjest ai tërhoqi mbi vete zemërimin e serbëve, shkruan portali kroat i lajmeve “24sata”. Ndërkohë edhe njerëzit në rrjetet sociale drejtuan një mori sharjesh ndaj artistit duke kërkuar skualifikimin e tij.

Në lidhje me këto sulme të kota, që nuk kanë pasur në thelb fare provokimin e serbëve, ka reaguar edhe Gjoni.

“Nuk e kuptoj shqetësimin. Unë doja thjesht të falenderoja Shqipërinë. Shqiponja dykrenare është simbol i Shqipërisë.

Ju keni qëndruar gjithmonë pas meje… keni qenë gjithmonë krenarë për mua. Jam shumë i lumtur për këtë gjë dhe kjo ishte mënyra ime e falenderimit”, është shprehur Gjoni.

Kujtojmë se babai i Gjonit është me origjinë nga Kosova, ndërsa nëna e tij nga Shqipëria.