Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj u shpreh sot se “distancimi i opozitës nga figura e Sali Berishës, do të ishte në të mirë të saj por edhe të vendit”. Në një intervistë televizive, Felaj tha se “shpallja ‘non grata’ e Berishës dhe familjes së tij nga DASH ishte shumë e qartë sepse ai akuzohet në mënyrë të hapur si abuzues i pushtetit, abuzues i fondeve publike dhe për korrupsion”.

“Do të kisha dëshiruar të shkëputej se opozita është një aset, ndaj duhet të kishte një shkëputje të qartë nga figura e Berishës dhe sjelljes së tij, pasi kjo vlen jo vetëm për ata por edhe për vendin. Vendimi i DASH sinjal për të gjithë që është në pozita përgjegjësie”, tha Felaj. E pyetur nëse vendimi i DASH është një sinjal edhe për presidentin Meta, Felaj tha se “thirrja është për të gjithë”.

“Kushdo që mban këtë lloj standardi, sjelljeje të përcaktuar si standard i një abuzuesi dhe i një të korruptuari, ky është një standard i papranueshëm për demokracinë në përgjithësi, për SHBA që mbahen si kampion të demokracisë dhe jo vetëm po për çdo lloj personi që është në pozita të të ushtruarit të pozitave qeverisëse apo do vihet në këto pozita”, shtoi ajo. Deputetja socialiste thotë se janë të gjitha provat që presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën dhe mjaftojnë që ai të shkarkohet.

“Presidenti u përfshi aktivisht gjatë gjithë kohës në fushatë dhe cënoi edhe postin e tij duke mbajtur anë. Ai ka kompromentuar jo vetëm figurën e tij por ka kompromentuar rendin në vend. Nga ana e Kushtetutës janë mjaftueshëm këto shkeljet per të vazhduar me procesin e shkarkimit. Do kisha dashur që Presidenti t’i kuptonte shkeljet më herët dhe të tërhiqej nga detyra”, tha Felaj.