Turqia ka vendosur të lehtësojë disa kufizime në lidhje me tubimet publike, që synonin të frenonin përhapjen e COVID-19.

“Gjatë muajit qershor, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve do të zbatohet çdo ditë nga ora 22:00 deri në orën 05:00, përveç të dielave kur do të zbatohet një bllokim i plotë”, njoftoi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan para gazetarëve, pas takimit të kabinetit presidencial.

Erdoğan tha, gjithashtu, se restorantet dhe kafenetë do të shërbejnë brenda hapësirave të tyre nga ora 07:00 deri në orën 21:00, ndërsa shërbimet me dërgesa do të vazhdojnë deri në mesnatë.

Më 17 maj, Turqia filloi një proces gradual të lehtësimit të masave antiCOVID-19, pas një bllokimi 17-ditor që uli ndjeshëm infeksionet në vend.

Deri më tani, Turqia ka regjistruar 47 405 vdekje nga COVID-19 dhe mbi 5,2 milionë raste të konfirmuara me këtë virus.