Nën p resionin e pasojave negative të Krizës Lindore për popullin shqiptar, u formua më 3 maj 1877 Komiteti i Janinës, përmes së cilit kërkohej nga Porta e Lartë bashkimi i të gjitha krahinave të banuara nga shqiptarët në një vilajet të vetëm dhe me një administratë me nëpunës shqiptarë, përfshirë shkolla dhe gjyqe në gjuhën shqipe. Përtej karakterit civil, lëvizja në fjalë përfshinte dhe elementin ushtarak, duke parashtruar nevojën për një kryengritje të armatosur me qëllim përfundimtar krijimin e një shteti të pavarur shqiptar, transmeton lexo.com.al.

Në krye të Komitetit të Janinës u caktua Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe nismëtarët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë Komitet bënin pjesë gjithashtu personalitete që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurveleshi), Sabri Gjirokastra (Gjirokastra), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Preveza) etj./Lexo.com.al/e.c.