Nga Ylli Pata/ Kishte disa teza përshkallëzuese pas bombës së djeshme, ku për herë të parë një sekretar Shteti i SHBA, në veten e parë shpallte vendosjen në listën e zezë të njeriut më influent të politikës shqiptare për 30 vjet.

Një herë thanë se është thjesht mos dhënie vize, madje u përdorën edhe batuta se ish-kryeministri nuk shkon në SHBA po në Kanada, apo vende të tjera.

Vendosja e Berishës dhe e familjes së tij, në atë strukturë të zezë të DASH, e ka barazuar ish-presidentin e ish-kryeministrin me statusin e pushtetarëve, politikanëve, apo biznesmenëve që janë nën sanksione në SHBA dhe bllokadën e kanë totale.

Në këtë rang janë edhe disa politikanë rusë, aziatikë, afrikanë etj, të cilët jo thjesht nuk shkojnë në SHBA, por sanksionet e SHBA kanë një fuqi planetare.

Më pas nisën të lëshojnë tezat se vendimi ndaj Sali Berishës është bërë sepse ky i fundit ka luftuar kundër shkëmbimit të territoreve dhe SHBA e ka cilësuar Berishën një pengesë në “lojën e saj në Ballkan”.

Dhe kjo tezë u tha papushim jo vetëm nga Berisha dhe njerëz të medias së familjes Berisha, por edhe nga panelistë e analistë si Fatos Lubonja etj.

Një tezë që nuk ka as fundament, por që nuk e besojnë as idhtarët e teorive më të tmerrshme konspirative.

Kosova u çlirua në vitin 1999, pasi deshti ta bënte këtë SHBA.

E cila mblodhi të gjithë aleatët perëndimorë, i bindi ato, ndërkohë arriti të neutralizojë Rusinë që të kundërvihet.

Në këtë atmosferë ndodhi takimi i Rambujesë në vitin 1999, ku SHBA i kërkoi delegacionit kosovar që të firmosë marrëveshjen e Rambujesë.

Sali Berisha, atëherë kryetar i opozitës i bëri thirrje delegacionit shqiptar që të mos e firmosë marrëveshjen.

Delegacioni shqiptar, që e drejtonte Hashim Thaçi, ku bënte pjesë edhe Ibrahim Rugova, nuk e dëgjoi Berishën e as Demaçin, por dëgjoi SHBA-në dhe e firmosi marrëveshjen.

Siç dihet SHBA ndërmori operacionin më të madh e të kushtueshëm ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore dhe e çliroi Kosovën.

Pas një situate administrimi ndërkombëtar, SHBA deklaroi se nuk do ta zgjaste më tërkuzën e Kosovës.

George Bush, jo më kot erdhi në Tiranë në vitin 2007, pikërisht më 10 qershor dhe deklaroi se “tani mjaft më, Kosovën do e shpallim të pavarur”.

Pas 8 muajve, Kosova u shpall e pavarur, sipas kufijve që Krahina Autonome Socialiste e Kosovës, kishte pasur nën juridiksionin e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Prej dy vjetësh, SHBA ka ndërmarrë një tjetër proces të vështirë për aleatin e saj të ngushtë dhe shtetin që e lindi vetë në Ballkan: Kosovën.

Njohjen e saj nga Serbia dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Për të hyrë Kosova në OKB, duhet që të ketë konsensus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina kanë të drejtën e vetos.

Ky është një process mjaft delikat, i ndërlikuar, që ka mjaft vështirësi e të papritura, megjithatë SHBA është në rrugë për ta mbyllur.

Si administrate e Donald Trump, ashtu edhe ajo e presidentit të sotëm Joe Biden, kanë të njëjtin qëndrim për këtë.

Kjo situatë, pra negociatat apo procesi për të mbyllur njohjen e Kosovës nga Serbia, e rrjedhimisht anëtarësimin në OKB të saj, ka sjellë një protagonizëm të brendshëm dhe pronincionalizëm amatoresk nga liderë politik të Kosovës, si Ramush Haradinaj në fillim e Albin Kurti më pas, që u bënë madje edhe pengesë të një procesi që nisi SHBA.

Haradinaj, i cili e vonoi procesin me taksën e tij 100 pwrqind, sot është një politikan periferik, kurse Kurti fitoi zgjedhjet në shumicë plebishitare, e tani ka shansin të udhëheqë procesin.

Logjika se Sali Berisha ka qenë ndikues në këtë proces është totalisht një tezë pa thelb.

Sali Berisha nuk ka as mekanizmat e as autoritetin të ndikojë në asnjë proces.

Dhe si për ta përforcuar këtë, DASH i vuri vulën se ai nuk është një aktor, por “një lider i korruptuar që minon demokracinë në Shqipëri”…