Nga Alfred Peza

Nuk ka njerëz më në hall, se ata që u duhet të mbrojnë publikisht me koshiencë, diçka të gabuar. Kjo i bën të duken jo vetëm qesharakë, gjysëm të çmendur e njerëz që janë gati të fyejnë inteligjencën e tyre, vetëm e vetëm për tu ekspozuar njerëzve atë që mendojnë se u bën më shumë punë shefave të tyre në këto momente të vështira.

Ka shumë “teza” dhe “argumenta” që po hidhen këto ditë në treg, të cilët janë gati të thonë edhe idiotësinë më të madhe, mjafton që ajo të dëshmojë se opozita nuk i ka humbur zgjedhjet e 25 prillit. Anipse Agron Duka, kryetari i një partie aleate me PD dhe LSI, pranoi publikisht se Edi Rama ka fituar. Anipse zëra të tjerë racionalë brenda së djathtës, e pranojnë këtë, por propaganda e tyre e mohon.

Ata që e shohin Lulzim Bashën sot si një lider në hall, e mohojnë fitoren e PS, duke besuar se kështu do ta mbrojnë prej largimit me turp nga skena. Por harrojnë, se nuk kanë gjë në dorë, pasi dritën e fik ai që e ka ndezur! Bashën e ka vënë Berisha dhe vetëm ai mund ta heqi. Ndaj ata, vetëm sa bëhen lolo më kot.

Një nga tezat më qesharake që mbrojnë, është ajo që lidhet me pretendimin se mazhoranca i ka vjedhur votat përmes një “operacioni kirurgjikal”, që ka nisur shumë më përpara sesa e diela e votimit.

Pyetja që lind pas kësaj, është fare e thjeshtë: Si është e mundur që kjo “megagrabitje e zgjedhjeve” u realizua në sy të gjithë numuruesve, vëzhguesve dhe drejtuesve të fushatës elektorale të opozitës? Si u çetifikua ajo? Si u noterizua përmes hedhjes së firmës nga përfaqësuesuesit e opozitës, në të 5 199 qendrat e votimit në çdo cep të Shqipërisë, pa u shënuar askund asnjë pretendentim i tillë?!

Vërtetë besojnë se ka ndonjë komisioner që ka hedhur firmën në këto proces-verbale, e nesër është gati të shkojë në burg për Lul Bashën, sepse tani atij i duhet që të mbrojë kolltukun duke thënë se zgjedhjet u vodhën?! Çmenduria shkon deri atje, sa me këtë alibi qesharake, tani thonë se do ta bojkotojnë sërisht edhe Parlamentin e ri që do të mblidhet në shtator.

Kujt duhet ti besojmë pas kësaj, Monika Kryemadhit që i kërkoi falje Ilir Metës, se djegia e mandateve në janar 2019 nga opozita ishte një gabim, e për rrjedhojë edhe bojkoti Parlamentit dhe ai i zgjedhjeve lokale?

Nëse dalja nga Parlamenti i paska kushtuar opozitës humbjen e zgjedhjeve të së dielës, atëherë Lulzim Basha jo vetëm që nuk paska fituar, por duhet të pranojë humbjen. Përse i duhet që të bojkotojë sërisht në shtator? Apo për të humbur edhe zgjedhjet e ardhshme lokale dhe ato të 2025 për Parlamentin?

Nëse është kështu, a është faji i shqiptarëve që i japin Edi Ramës mandatin e tretë e që mund ti japin edhe të katërtin? Apo është faji i opozitarëve tanë të cilët ngaqë nuk kanë se çti bëjnë gomarit (Lulzim Bashës) që po i çon me sukses nga humbja në humbje, u duhet që ti bien samarit (Edi Ramës), duke thënë se ai u vodhi zgjedhjet?!

Nëse bojkoti i 2019 i paska çuar këtë radhë në humbje, bërja e të njëjtit gabim sërisht duke bojkotuar edhe Parlamentin e ri, a thua se do ti çojë drejt një rezultati të ndryshëm? Vërtetë mendojnë se duke bërë dy herë të njëjtën gjë, mund të marin, dy rezultate të kundërta? Pra, nëse bojkoti i çoi njëherë në humbje, vijimi i po kësaj rruge, vërtetë mund ti çojë drejt fitores?!

Sigurisht që jo.

Ndaj të dashur miq opozitarë, ka një rrugë edhe më të shkurtër e më produktive për ju pas humbjes: Pranojeni atë. Analizoni shkaqet që ju çuan atje. Reflektoni dhe riogranizohuni, duke kërkuar rrugë të reja që nuk ju çon sërisht drejt një humbje të sigurtë, por drejt një mundësie të re për fitore!