Kandidati fitues i PS në Kavajë, Etjen Xhafaj rrëzoi deklaratat e artikuluara nga kundërshtarja e tij politike për zgjedhjet në këtë bashki, Grida Duma për përfshirje të bandave në fitoren e PS në Kavajë, ndërsa theksoi se fushata e PS ka qenë qytetare dhe në asnjë moment nuk është marrë me kundërshtarët.

I pyetur lidhur me incidentin e ndodhur gjatë fushatës në zyrën elektorale të PD në Kavajë z. Xhafaj tha se incidenti që nuk kishte asnjë lidhje me politikën u etiketua menjëherë si politik, sepse kundërshtarët politik kanë dashur të gjejnë në çdo moment një shkak për të politizuar çdo ngjarje duke u përpjekur të krijojnë ndjesinë e frikës tek njerëzit.

“Ne nuk kemi folur në asnjë moment të fushatës kundrejt tyre, s’jemi marrë në asnjë moment të me kundërshtarin, kemi bërë një fushatë qytetare model, kjo s’ka ndodhur nga krahu tjetër. Këta kanë dashur gjithmonë alibinë e bandave. Nëse kapobanda që prezumojnë ata ka studiuar në Harvard dhe ka qenë 3 vjet ish-ministër, qytetarët nuk kanë faj të zgjedhin atë që u ofrohet për të ardhmen. Nëse flet për banda dhe banditë krijon sensin e frikës tek njerëzit”, tha z. Xhafaj.