Agjencia Europiane e Barnave ka nisur shqyrtimin e vaksinës kineze të koronavirusit, Sinovac, teksa të dhënat fillestare të studimeve laboratorike dëshmojnë sipas EMA-s, se kjo vaksinë prodhon vërtet një përgjigje imunitare.

Shqyrtimi i lejon rregullatorët e BE-së të vlerësojnë të dhënat sapo ato bëhen të aksesueshme deri në momentin që konsiderohet se ka prova të mjaftueshme për një autorizim zyrtar përdorimi. EMA nuk dha ndonjë afat kohor për vendimin e saj final, por sqaroi se procesi i verifikimit do të marrë më pak kohë se zakonisht, sepse një pjesë e punës është kryer që gjatë rishikimit të parë.

Agjensia është duke kontrolluar sakaq, të dhënat e tre vaksinave të tjera, Sputnikun rus, vaksinën mRNA të CureVac dhe atë me bazë proteinike të Novavax. Vaksina Sinovac përdor një virus joaktiv i cili nuk shkakton dot sëmundje. “Ne do të shohim nëse vaksina kineze përputhet me standartet e zakonshme të EMA-s përsa i takon efikasitetit, sigurisë dhe cilësisë”, thuhet në deklaratën e saj.

Agjencia Europiane e Ilaçeve deri më tani ka miratur katër vaksina në Bashkimin Evropian: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Një ditë më parë, Komisioni Europian u propozoi vendeve anëtare të Bashkimit Europian që t’i lehtësojnë kufizimet aktuale të udhëtimeve jothelbësore për qytetarët e të ashtuquajturave vende të treta. Rekomandimi vlen për qytetarët e vaksinuar kundër koronavirusit, me vaksina të miratuara nga EMA.