Gëzim Lalo, po bën afërsisht 55 vite që banon në pallatin përbri Ministrisë së Drejtësisë, aty ku dikur ka qenë një nga hotelet më të njohura në Tiranë, hotel “Arbëria”. Ndër vite ai ka ndjekur të gjitha zhvillimet me te cilat është përballur Bulevardi “Zogu i Parë”, por që ai preferon ta quajë “Rruga e Trenit”. “Ky bulevard ka qenë ‘Statuja e Lirisë” për të gjithë ata që vinin në kryeqytet me tren, i cili ishte mjeti më masiv transportues para viteve ’90. Vinin si vizitorë, si studentë, vinin me shërbim pune, etj. Ka qenë rruga më e preferuar në Tiranë, pasi nuk ishte vetëm rrugë shërbimesh të ndryshme, por nga kjo rrugë kanë lindur mijëra romanca, djem e vajza që prisnin njëri-tjetrin tek treni, por edhe në Fakultetin e Shkencave. Pra,Rruga e Trenit mbart shumë histori dhe bashkia e Tiranës ka bërë një nga gjërat më të bukura qëi ka rikthyer sërish lavdinë këtij bulevardi, duke e kthyer tashmë në një nga bulevardet më të vizituara në Tiranë”, komenton Lalo.

Dhe e vërteta transformuese e këtij Bulevardi të qëndron tani përpara syve. Ai ështëme gjerësi 35 m linearë, duke rritur gjerësinë e trotuarëve në të dyja anët në 8.25 metër. Bulevardi ka dy korsi automjetesh në të dy anët e tij, dhe lloji i materialit, si për rrugën ashtu edhe për trotuaret ështëasfalt me gurë të bardhë. Në të dyja anët e bulevardit janë ndërtuar nga Bashkia 4 sheshe të reja. Sheshi i parë është sheshi “pocket” dhe është shtruar me pllaka guri e mobiluar me gjelbërim. Është edhe sheshi “village”, i cili ka një shatërvan me ujë, i cili krijon impaktin e njëqendre fshati. Në rrugën Fortuzi është ndërtuar sheshi “Fortuzi”, dhe se sheshi i katërt është sheshi i “Universitetit”, i cili është tashmë me një imazh fantastik. Por Bashkia e Tiranës nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Ajo ka ndërhyrë edhe në pallatet që gjenden në dy anët e rrugës, të cilat kanë marrë një pamje fantastike me ngjyra të lehta të ëmbla, të cilat janë të ndryshme nga një pallat në tjetrin, por janë brenda një stili të unifikuar për çdo njësi. Eshtë ndërhyrë në suvatime, çati, si dhe në të gjitha sistemet e kullimit të ujërave të shiut. Të gjithë kondicionerët janë sistemuar në një vend, janë vendosur grila të reja, vetrata të reja, të shoqëruara me panele druri dhe metalike. Këto janë një pjesë e ndryshimeve që konstaton në Bulevardi “Zogu i Parë”, të cilat kanë ndryshuar thuajse tërësisht imazhin e këtij bulevardi, duke ruajtur në ekuilibër të shkuarën, që ndërthuret pa sforcime me të tashmen moderne.

Të gjitha këto ndryshime, kanë bërë që në këtë bulevard të përqëndrohen një seri biznesesh duke filluar që nga bankat, shoqëritë imobiliare, baret e restorantet, qendrat administrative, dyqane mode e artikujsh të përzier, si dhe një rrjet studentor duke filluar që nga ato shtetërore e deri në ato private. Një gjallërim marramendës i këtij bulevardi, ku jeta gëlon jo vetëm gjatë ditës, por edhe deri në limitet e orës policore për shkak të Covid, pasi ndriçimi natën është një tjetër mrekulli e këtij bulevardi. Skerd Braho, ekspert për tregun e shitjeve të pasurive të patundshme informon se një nga arritjet e punëve të bashkisë, jo vetëm në Bulevardi Zogu I Parë, por edhe në mjaft rrugë të tjera si në qendër ashtu edhe në periferi, është rritja e vlerës së pasurive që kanë në pronësi qytetarët. “Rregullimi i infrastrukturës jep një ndikim të menjëhershëm në vlerën e pronave, si të atyre që jepen me qira, ashtu edhe për ata qëi kanë në pronësi e duan ti shesin. Ky treg, gjithnjë në rritje, bën që edhe paratë të qarkullojë më shumë, si dhe shton mundësitë që të gjitha palët e përfshira në shitblerje të kenë përfitimet e tyre. Jo më kot në Bulevardin Zogu i Parë, tani operojnë disa shoqëri që merren me shitblerjen e pasurive, pasi e shohin se tregu tashmë është dinamik, dhe se ky bulevard, duke pasur si zgjatin edhe bulevardin e Ri, do të jetë një nga arteriet kryesore të biznesit, ashtu si dikur ishte arteria kryesore për ata që vinin në Tiranë. Vitet kalojnë, kohët ndryshojnë, por Rruga e Trenit do vijoj të mbetet një emblemë për Tiranën, natyrisht duke u përshtatur me kohën”, thekson Braho.