Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka zhvilluar sot një takim me demokratë të Vlorës.

Ai tha se, “dua të them disa të vërteta, që në PD kemi kohë që nuk i dëgjojmë. Nuk mund ta fshehim, nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në fakt, ka ndodhur dhe fatkeqësisht ka ndodhur që demokratët rrezikojnë të jenë në opozitë për 12 vite rresht dhe pavarësisht këtij rezultati askush nuk do të mbajë përgjegjësi, sepse pasojat e kësaj humbje nuk i vuan lidershipi”.

Shehaj tha se arsyeja që ne humbëm zgjedhjet është sepse janë marrë vendimet e gabuara, sepse shqiptarët nuk patëm besim të lidershipi i PD-së.

“Lidershipi në fuqi sikur të humbasë dhe të fitojë, jeta e përditshme e tij nuk ndryshon, ata që vuajnë pasojat e kësaj humbje janë demokratët dhe shqiptarët. Po kërkohet në njëfarë mënyre të mohohet e vërteta duke thënë që ne nuk humbëm, por humbëm për shkak të një arsyeje të vetme, që sipas tyre është masakra elektorale. Absolutisht është e pamohueshme që Edi Rama ka blerë vota në mënyrë masive, por ne nuk e ndryshojmë dot më dhe nuk duhet të mbajmë shpresat te ndryshimi i rezultatit. Ky është rezultati, ne s’kemi asnjë shpresë që ta ndryshojmë këtë rezultat. Por unë mendoj, dhe nuk jam i vetmi që mendoj, se kjo nuk është e vetmja arsye që ne humbëm zgjedhje. Arsyeja që ne humbëm zgjedhjet është sepse janë marrë vendimet e gabuara, sepse shqiptarët nuk patën besim të lidershipi i PD-së, nuk patën besim që PD, ne bashkë me aleatë tanë do ta qeverisnim Shqipërinë më mirë se Edi Rama. Nëse do ishte e vërtetë se e vetmja arsye që humbëm zgjedhjet është sepse u vodhën vota, atëherë nuk kemi asnjë ndryshim për të bërë, nuk gabuam asgjë. Atëherë i bie që ne nuk duhet të futemi në parlament, i bie që ne nuk duhet të marrim pjesë në zgjedhjet e reja, pas një viti apo në 2025. E vërteta nuk është kjo, e vërteta është se ne humbëm jo vetëm për atë arsye, ne humbëm se shqiptarët nuk na besuan dhe nëse ne duhet të fitojmë zgjedhjet e ardhshme duhet të ndryshojmë PD, ne duhet të ndryshojmë lidershipin e PD-së. Do ishte vetëvrasje të vazhdonim me këtë lidership dhe me këtë mënyrë drejtimi të opozitës. Ne duhet të ndryshojmë dhe kjo është arsyeja pse kam shpallur kandidaturën për kryetar të PD-së, se jam i bindur se duhet ndryshim”, tha ai.

“Unë jam i bindur se më 13 qershor demokratët nuk vendosin thjeshtë se kush do të jetë kryetari i ri i PD-së, demokratët do vendosin nëse duan të fitojnë apo të humbasin sërish zgjedhjet e ardhshme, ky është vendimi”, u shpreh Shehaj.

“Me këtë lidership, fatkeqësisht, humbjen e kemi në xhep. Nëse duam realisht të fitojmë, ne duhet të ndryshojmë, nuk ka zgjidhje tjetër”, theksoi ai në fund.