Ministrja për Europën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka reagoi sot për rrëmbimin e avionit Ryanair dhe kërkoi lirimin e gazetarit Roman Protasevich. Ajo theksoi se Shqipëria bashkohet me thirrjet për hetim ndërkombëtar për këtë incident të rëndë dhe të rrezikshëm. “E shokuar nga rrëmbimi i Ryanair. Shqipëria bashkohet me thirrjet për hetim ndërkombëtar për këtë incident të rëndë dhe të rrezikshëm dhe lirimin e Roman Protasevich”, u shpreh Xhaçka në një reagim në rrjetet sociale.

Një aeroplan udhëtarësh i kompanisë ”Ryanair” u ul në Vilnius të dielën në mbrëmje, pas një devijimi prej shtatë orësh në kryeqytetin bjellorus, Minsk.

Fluturimi ”Ryanair FR4978” ishte rrugës për në kryeqytetin lituanez nga Athina, kur autoritetet bjelloruse e urdhëruan atë të kthehej dhe të ulej në Minsk, duke thënë se kishte një kërcënim të mundshëm të sigurisë në bord. Asnjë kërcënim i tillë nuk u gjet në aeroplan. Por, gazetari i shquar i opozitës bjelloruse Roman Protasevich, i cili ishte një pasagjer në bord, u arrestua. ”Pasagjerët dhe ekuipazhi kaluan rreth shtatë orë në Minsk para se avioni të nisej për në Vilnius”, deklaroi ”Ryanair”. Deklarata e linjës ajrore irlandeze nuk përmendi Protasevich.