Procesi i rindërtimit në lagjen e re të 5 majit në Tiranë është duke ecur me rimte të shpejta, ndërsa banorët përfitues kanë nisur të nënshkruajnë dhe kontrata paraprake për pronësinë e banesave të tyre të reja.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka ndjekur nga afër kantierin që pritet të shndërrohet brenda një viti në një nga qendrat urbane, ekonomike, sociale më moderne në Shqipëri dhe një qendër tjetër e Kryeqytetit, ku do të jenë 11 000 përfitues , do të ketë dhe 5 objekte publike ndër të cilat edhe godina e përbashkët e tatime-doganave, 3 objekte arsimore, një shkollë profesionale dhe qendra e IT “Network 42”.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka marrë dhe prononcime me përfitues të banesave në zonën e “5 majit”.

“Unë jam Agim Likaj, banor i njësisë katër tek ish konvikti. Kemi folur me zonjë kryetare, Lirie Qoshi, që nga rënia e tërmetit dhe deri më sot, që kemi hasur dhe problem gjatë këtij viti ndoshta s’ka qenë dhe shumë i përshtatshëm për të gjithë njerëzimit. Njësia bashkiake na është gjetur afër dhe bashkia po ashtu, kemi patur dhe bashkëbisedim me z. Rama. Kemi folur për çështjen e objektit që është amortizuar dhe nuk është për banim. Aty jetojnë të tre komunitete. Unë kam tre vajza dhe jam vetë i pestë. Kemi jetuar në një dhomë. E kishim banesën me hipotekë. Fëmijët e mi janë rritur tani, 22 vjeçe vajza e madhe”,- tha ai.

“Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, na ka premtuar se banesat tona do jenë në 5 maji. Na ka dhënë shteti bonus qiraje. Unë e kam ndjekur si procedurë, pasi dhe komuniteti më ka nxjerr si lider si kryetar, për të parë nga afër. E kam ndjekur nga afër procesin, ritmi ka vijuar më një ecuri më të shpejtë. Nuk ka patur lidhje kjo me çështjen e votimeve, na është premtuar që kur ra tërmeti për marrjen e shtëpisë. Aty është sipas frymëve, jo standard, që ti merr një dhomë e kuzhinë. Unë kam qenë me një dhomë, por shteti na ka premtuar se sipas frymëve do merrni dhe ambientin, 2+1 apo 3+1. Kemi diskutuar dhe me ministrin dhe kryetarin e bashkisë për para kontratat, dhe po presim t’i firmosim dhe për pak ditë do ta kemi në dorë”,- tha ai.

“Gradualisht ne po rimarrim veten për atë fatkeqësi që ndodhi. Brenda një viti do jemi në ato objekte. Për momentin kur ra tërmeti nuk kemi pasur shpresa, por kemi parë që çfarë është bërë në Thumanë, në zona të tjera, nuk e kemi besuar, por është e vërteta që tani po e shohim me sytë tanë. Jemi shumë të lumtur që shteti na ka dhuruar dhe bonusin dhe po shohim që do hyjmë shumë shpejtë tek shtëpitë e reja”,- u shpreh Likaj.

“Unë jam Artistula Pula. Nata e tërmetit ishte e frikshme. Ne jemi tre pjesëtar në shtëpi. U panikosëm. Dolëm jashtë dhe kaluam natën jashtë. Pastaj erdhën inspektorët e Bashkisë që morën në shqyrtim pallatin. Kanë ardhur disa herë gjatë kësaj periudhe. Ne kaluam në shtëpi tjetër, ku bonusi i qirasë u pagua nga shteti. Në shtëpinë e vjetër ka qenë 2+1. Ambienti ishte i madh dhe na thanë se do kalojmë tek lagjja e re tek 5 maji. Punimet po ecin mirë. Shtëpinë nuk e kishim të siguruar, por gjithsesi, meqenëse ngelëm në të tilla rrethana, na u ofrua kjo ndihmë nga shteti. Nuk është lumturi e madhe të ndërrosh shtëpi , apo të shembet shtëpia, por kur të rrezikohet koka, patjetër që është gjëja më normale të shkosh në një shtëpi të re, por kushte dhe lagjja e re që po ndërtohet është një lajm patjetër i gëzueshëm. Po presim të bëjmë para-kontratat”, – tha ajo.

Ilda Qazimllari, Drejtor i Drejtorisë Investimeve të Punëve Publike pranë Bashkisë së Tiranës, gjatë një interviste për ATSH, tha se janë rreth 11 000 apartamente të reja që po ndërtohen për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarave nga tërmeti i nëntorit të shkuar.

“Aktualisht me rindërtimin kanë filluar disa lagje, jo vetëm në qytet, por dhe në disa zona rurale, më parë se brenda në qytet. Këtu mund të themi Vaqarrin, një prej lagjeve të reja të rindërtimit, që ka nisur ndër të parat. Është një bashkëpunim bashkë me “Fundjavë Ndryshe”, ku ata na janë bashkuar duke asistuar në rindërtim e banesave individuale”- tha Qazimllari.

“Më pas kemi vijuar me infrastrukturën publike. Kemi zonën e Zall Herrit, ku janë rreth 40 banesa individuale, ku janë banesa të tipologjisë 1+1, 2+1 dhe 3+1. Krahas saj kemi dhe infrastrukturën rrethuese që do nisi në ditët në vijim. Lagje tjetër ku ka pritshmëri të mëdha, që do strehoj zonat e vështira për tu ndërtuar më vete, është zona e Pezës, është një ndër lagjet e cila po nis tashmë me infrastrukturën publike dhe pastaj do të nisim dhe me banesat individuale. Të gjitha lagjet rurale janë në ritme shumë të mira dhe do të strehojnë banorët të cilëve nuk kemi mundur t’ju ndërtojmë banesat ne trojet apo banesat individuale që kanë qenë të dëmtuara nga tërmeti, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore, apo vështirësive në territor”,- shton ajo.

“Aktualisht Bashkia e Tiranës ka në vijim dhe proces pune rreth 600 banesa individuale të cilat janë shpallur listë pas liste me anë të vendimeve të këshillave bashkiake. Kanë filluar në kohë të ndryshme, dhe janë drejt përfundimit dhe shumica e tyre janë në fazën e ri-finiturave. Nëse kthejmë sytë nga qyteti, vetë zona brenda qytetit, ka dy lagjet më të mëdha, ajo që është pas nesh “Riverside”, apo siç e njohim bregu i lumit. Një prej zonave tejet informale, tejet e pashfrytëzueshme, ku ka nisur mirë punën dhe me shpalljen e VKM presim lirimin e plotë të gjithë kantierit deri buzë bregut të lumit”,- tha Qazimllari.

Sipas saj, “aktualisht kanë nisur disa prej ndërtesave, 2 seksionet e godinës 15-të, që është godina kuadratike, që është në nukël në thelb të gjithë ndërtimit të kësaj zone. Ka filluar dy prej seksioneve të godinës 8-12 dhe po ashtu dhe godina tjetër 19, që është pranë shkollës “Ardian Klosi”. Kjo është lagjja më e madhe, rreth 11 000 apartamente, të gjitha katet e para janë kate shërbimi, me një lartësi më të madhe se ato të banimit. Ka parkim nëntokë. Mbi to deri në 6-7 kate zhvillohen banesat kolektive, sipas tipologjive të miratuara me VKM. Punimet kanë nisur rreth fundit të shtatorit dhe afati i përfundimit është brenda një viti. Janë bërë lidhjet e ujërave të bardha, të zeza, energjia elektrike dhe të gjitha infrastrukturat e nevojshme. Brenda një viti do japim godinat e para për jetesë. KA nisur procesi lidhjes së kontratave me banorët që do bëhen pjesë e lagjeve. Ka nisur tek lagjja kombinatit, e njohur “Kombinart”, një poliqendër e re e Tiranës. Qytetarët që do bëhen pjesë e këtyre banesave po lajmërohen që të nënshkruajnë dhe kontratat paraprake për marrjen e banesava”,- përfundoi Qazimllari për ATSH.