Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) rifilloi sot shërbimin e kontrollit teknik të mjeteve rrugore, pas rehabilitimit të qendrave të Kontrollit Teknik, që ofrojnë garantimin e cilësisë dhe standardeve të shërbimit, si dhe uljen e kostove për qytetarët.

ATSH vëzhgoi nga afër ecurinë e këtij procesi në qendrën e kontrollit teknik Tirana 1, në Fushë-Prezë, ku shërbimi ka nisur sot, me kushte thelbësore sigurie, higjiene, sinjalistikë orientuese e mirëfunksionim të sistemeve/pajisjeve për punonjësit e rinj të kolaudimit dhe për drejtuesit e mjeteve që kryejnë kontrollin teknik.

Në një prononcim për ATSH-në, drejtori i kontrollit teknik të mjeteve, Drakuli Lumi, u shpreh se, me nisjen e procesit të ri të kontrollit teknik të automjeteve, shërbimi ka kaluar nga një operator tjetër, tek operatori shtetëror i DPSHTRR.

Sipas tij, me investimet që janë ndërmarrë, linjat e kontrollit janë rinovuar, është futur një program i ri për testimin e mjeteve dhe i rëndësishëm është fakti që për mjetet e transportit personal, është zgjatur me dy vjet kontrolli teknik i mjeteve.

Ai shpjegoi se qendra të ndryshme të DSHTRR në rrethe, kanë kapacitete të ndryshme për kontrollin e mjeteve mbi bazën e statistikave të regjistrimit të mjeteve. Ndërsa në qendrën e DSHTRR-së Tirana 1, janë gjashtë linja që në përgjithësi realizojnë kontrollin e 200 automjeteve në ditë.

Fillimisht kontrolli i mjeteve ka nisur me automjetet që u ka mbaruar afati i koalidimit të mëparshëm, kamionët, rimorkiot, mjetet e transporti publik si dhe mjetet që janë regjistruar për herë të parë nga dhjetor 2020 – maj 2021. Më pas, do të procedohet me një ritëm normal të të gjitha mjeteve sipas prenotimit që duhet të bëjnë më përpara në kohë në portalin e-Albania.

“Përveç një shërbimi të kulturuar dhe me aftësi teknike që ka pika, lehtësi e madhe është shtyrja e afatit të kontrollit teknik të mjeteve, me një vit tjetër për mjetet personale”, theksoi ai.

Lumi tha se, “procesi ka filluar sot në Durrës, Tiranë, Elbasan, Kukës deri në fund të kësaj jave do të jenë të plotësuara të gjitha pikat e kontrollit teknik në të gjithë Shqipërinë”.

Qytetarët shprehen të kënaqur me procedurat dhe kushtet e ofrimit të këtij shërbimi.

“Përgjithësisht ishte më e lehtë kësaj here. Mbaron punë në kohë, më shpejt dhe pa radhë. Shtyrja e afatit të kolaudimit një herë në dy vjet na kursen kohë dhe vlerë monetare”, shprehet një i ri.

Ndërsa një qytetar tjetër tha se “kishte pak vonesa në qartësimin e procedurave, por vlerësoj mënyrën e shërbimit dhe kushtet e ofrimit të tij”.

“Çdokush duhet të jetë vetë vigjilent për mirëmbajtjen e mjetit dhe evitimin e aksidenteve”, theksoi qytetari.

Autoritetet thonë se ky është vetëm rifillimi, pasi revolucioni sapo ka nisur edhe në këtë sektor, ku brenda 2021-shit do t’i kthehet dinjiteti dhe rëndësia, me kujdes të plotë për interesin publik.