Në selinë e PS sot është vendosur që Asambleja e Partisë Socialiste do të mbahet pasditen e 2 qershorit, në orën 18:00 tek Liqeni Artificial. 10 ditë më pas, në datë 12 qershor socialistët do të mbajnë kongresin e partisë, në përvjetorin e 30 të Partisë Socialiste. Më herët Edi Rama ka thënë se një arsye pse është vendosur kjo datë ka të bëjë me numrin e viteve të qeverisjes së socialistëve përllogaritur në tre mandate të fituara rresht.

Marrë shkas nga këto ngjarje madhore, fitoren e 25 prillit dhe 30-vjetorin e 12 qershorit, kreu i PS-së, më parë Rama mblodhi në një takim në Pallatin e Brigadave 2 ‘grupet parlamentare’ të forcës së tij politike, atë aktualin që punon deri në shtator dhe atë në pritje, që merr stafetën me legjislaturën e ardhshme të Kuvendit.

Në një deklaratë të mëparshme Rama tha se në këtë vit 30-vjetori, do jetë një fushatë hapjeje e Partisë Socialiste, hapje e cila sipas tij do të krijojë mundësi gjithëpërfshirëse. Ai tha se do të ngrihet një komision i Posaçëm riorganizimi dhe se me 12 qershor do të thirret një kongres i jashtëzakonshëm dhe të paraqesë vizionin Shqipëria 2030.