Nga Eduard Zaloshnja/

Pasi humbi zgjedhjet e 2009-ës, Rama filloi një pelegrinazh të përjavshëm të militantëve socialistë në bulevard, me sloganin “Hap kutitë ose largohu!”. Madje atë seri të gjatë pelegrinazhi e mbylli me një grevë urie 40-ditëshe të deputetëve socialistë, në një tendë gjigande para kryeministrisë.

Por edhe sikur kutitë e tre qarqeve të kontestuara nga Rama të ishin hapur (dhe rezultati i atyre qarqeve të kishte ndryshuar), qeveria i kishte majftueshëm vota në Kuvend për të mos u rrëzuar. Në fund të fundit, partitë e përfaqësuara në atë qeveri kishin marrë pothuaj 800 mijë vota në zgjedhje, përkundër 690 mijë votave që kishte marrë koalicioni i PS-së (shihni grafikun shoqërues).

Pasi mbaroi numërimi i votave për Bashkinë Tiranë më 2011, Rama rezultoi me vetëm 10 vota para Bashës. Por pasi kutitë shkuan në KQZ, u gjetën edhe ca vota të tjera për Bashën, dhe përkrahësit e Ramës sulmuan KQZ-në apo dogjën goma në autostradën Tiranë-Durrës. Sidoqoftë, në fund, Rama u deturua t’ia dorzonte zyrën e kryebashkiakut rivalit të tij.

Ato dy disfata të njëpasnjëshme i mësuan Ramës një diçka të rëndësishme për garat e tij të ardhshme: Po u fute në garë “rrotë më rrotë” ose “një rrotë prapa” partive në pushtet, nuk ke shans ta fitosh garën. Prandaj ai punoi në qetësi dhe në mënyrë metodike, për ndërtimin e një koalicioni të madh, ku tërhoqi edhe LSI-në. Dhe ai koalicion prodhoi një dallgë 1-milion votash, që partitë në pushtet nuk kishin shans ta përballonin…

Kjo histori elektorale e Ramës është e çmuar aktualisht për Bashën apo për këdo që do të jetë në krye të PD-së në vijim. Me protesta e kontestime nuk merret pushteti në Shqipëri. PD është e detyruar të vijë në pushtet me zgjedhje. Dhe vetëm ndërtimi metodik i një koalicioni të aftë të prodhojë një dallgë 1-milion votëshe mund ta përmbysë murin elektoral 800 metra të lartë, që ka ngritur Rama gjatë 8 viteve në pushtet. Për më tepër, një dallgë 1-milionëshe duhet edhe për faktin se “inxhinieri elektoral” Gjiknuri, e ka çimentuar kodin zgjedhor në mënyrë të tillë, që muri i Ramës të mos përmbyset dot me llogarira të vogla meskine koalicionesh e listash…