Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti ka zbuluar se diferenca mes kësaj vere dhe të kaluarës për shkak të Covid-19 do të jetë situata psikologjike e çdo personi.

Duke folur në “Breaking” në Top News, Alimehmeti theksoi rëndësinë e mbrojtjes nga koronavirusi edhe për ata që janë vaksinuar pasi ekziston ekspozimi ndaj virusit. Megjithatë, sezoni veror do të jetë psikologjikisht më i qetë për pjesën më të madhe të njerëzve.

“Diferenca më e madhe do të jetë situata psikologjike e çdo personi. Verën e 2020 shumica nuk e kishte kaluar ende virusin, ndërsa tani gjendemi me përqindje të lartë në çdo rreth të personave që e kanë kaluar.

Nga ana tjetër, është 15% e personave që kanë marrë një dozë. Risku është që qytetarët të mendojnë se u shpova dhe mbaroi gjithçka, efekti nuk është 100% por risku bie goxha pas vaksinimit.

Si sezon, do të jetë edhe psikologjikisht më i qetë, megjithatë do të donim të dinim sa është përqindja e atyre që e kanë kaluar se është shumë herë më e lartë se e atyre që janë vaksinuar. Kjo shifër na ndihmon të kuptojmë sa afër imunitetit jemi. Mosha 18-55-60 ka më tepër kontakte, këtu pritet që të jetë rritur më tepër ekspozimi ndaj virusit.

Imuniteti mburojë është vendosja përpara ose në kontakt të njerëzve që mund ta kenë kaluar ose të jenë vaksinuar më shumë”, tha Alimehmeti.

Sa i përket faktit që disa persona krijojnë antitrupa dhe të tjerë jo pasi marrin dozën e dytë të vaksinës, qoftë Pfizer apo e një lloji tjetër, Alimhemeti sqaroi se janë disa faktorë që ndikojnë.

Megjithatë, prodhimi i antitrupave ose jo nuk e tregon efektivitetin e vaksinës, e cila ofron vetëm IGG.

“Ka të bëjë me organizmin, me vaksinën etj. Të prodhosh antitrupa nuk ka të bëjë me efektivitetin e vaksinës. Vaksina ofron vetëm IGG, është imunogjenizimi. Është bërë shumë tifozllëk me numrin e antitrupave. Antitrupat kanë një kohë prodhimi dhe ulje që varen nga imunizimi. Individi mund të jetë sipër ose poshtë mesatares, pra në nivel individual nuk dalim dot nga studimet”, tha Alihmehmeti.

Ndër të tjera shtoi se mbetet për tu parë nëse vaksina duhet të përsëritet çdo vit, apo do të jetë si gripi vetëm për moshat e vjetra dhe për personat me sëmundje kronike.

“Duhet të shohim nëse kemi nevojë për vaksinë çdo vit, por jo për të gjithë. Njësoj si vaksina e gripit që këshillohet për moshat e vjetra dhe për personat me sëmundje kronike. Tani nuk është momenti të flasim në përgjithësi”, u shpreh Alimehmeti.