Kryeministri Edi Rama pati sot një darkë pune me Behgjet Pacollin, kreu i kompanisë “Mabetex”.

Kryeministri ka publikuar dhe një foto nga ky takim ku shprehet, “me mikun tim të çmuar Behgjet Pacolli, pas një darke pune për planin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”.

Bashkimi i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction, i përbërë nga Mabetex Group, i cili mban 50 % të aksioneve, ndërkohë ideatori është YDA Group me 48 % dhe A Group sh.p.k me 2 % u shpall fituese për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.

Vlera e investimit është 103.966.030 euro.

Në fazën e parë në periudhën 2-vjeçare do ndërtohet godina e aeroportit dhe pista që kapin vlerën mbi 103 milionë e 500 mijë dollarë.

Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit që arrijnë vlerën e investimeve me qindra-miliona euro.

Ky projekt konsiderohet si investimi më i madh i ndonjë kompanie private në rajon.

Kriteret teknike të vendosura përmbushin ato të kategorisë 4E, që është një nga kategoritë më të larta të aeroporteve ndërkombëtare duke nisur nga pista që duhet të jetë 3,2 km dhe deri tek sipërfaqet terminalit dhe të gjithë facilitetet e tjera që ky aeroport duhet të ofrojë.