Annalena Baerbock, Germany’s Green party co-leader and a top candidate for the upcoming national election in September, speaks at a news conference after a party’s leaders meeting in Berlin, Germany, April 26, 2021. Markus Schreiber/Pool via REUTERS

Më në fund, votuesit gjermanë do të kenë alternativa të qarta në zgjedhjet kombëtare. Kristian Demokratët në pushtet dhe të Gjelbrit ofrojnë vizione të veçanta dhe personalitete të kundërta

Zgjedhjet gjermane të pasluftës zakonisht ishin gara pa gjallëri midis burrave të moshës së mesme dhe, më vonë, duke përfshirë një grua në moshë të mesme, me bindje politike pak a shumë të ngjashme. Procesi arriti pikën më të përgjumur në vitin 2017, kur dy partitë kryesore hynë në fushatë pasi kaluan katër vitet e mëparshme së bashku në një “koalicion të madh”. Kjo gjë nuk linte shumë hapësirë për të ofruar vizione konkurruese për votuesit e paentuziazmuar. Këtë vit, për fat të mirë, gjërat do të jenë ndryshe, shkruan The Economist.

Si fillim, ekziston një shans i mirë që zgjedhjet e 26 shtatorit do të rezultojnë në ardhjen e një kreu të qeverisë nga Partia e Gjelbër (që do të ishte një risi jo vetëm për vendin, por edhe botën), konkretisht zonja Annalena Baerbock, parlamentare 40-vjeçare pa përvojë ministrore, por me shumë energji, intelekt politik. Në një procedurë krejt të qetë më 19 prill, Partia e Gjelbër zgjodhi si kandidate për kancelare zonjën Baerbock, në vend të bashkudhëheqësit të saj, Robert Habeck, një njeri me më shumë përvojë, por më akademik. Partia gjykoi se ajo do t’i ofronte shansin më të mirë për fitore në shtator.

Procesi i zgjedhjes së kandidatit ka qenë më i trazuar për rivalët konservatorë, Bashkimin Kristian Demokrat (CDU) dhe partinë e saj motër, Bashkimin Social Kristian të Bavarisë (CSU). Më 20 prill, pas një beteje të gjatë që nxori në pah përçarjet midis dy partive, ato ranë dakord që të zgjidhej shefi i CDU-së, Armin Laschet, edhe pse votuesit preferonin më teër kreun e CSU-së. Zonja Baerbock vështirë se mund të shpresonte për një fillim më të mirë se kaq. Partia e saj ka ruajtur vendin e dytë në sondazhe, pas CDU/CSU.

Tashmë votuesit përballen me një zgjedhje të qartë. Të Gjelbrit kanë bërë një rrugë të gjatë që nga rrënjët radikale dhe kanë mjaft përvojë në qeverisje. Ata formojnë pjesë të koalicionit qeverisës në 11 nga 16 shtetet e Gjermanisë. Sidoqoftë, nëse do të fitonin pushtetin në nivelin federal, ata do të ndiqnin një politikë klimatike shumë më ambicioze.

Për shembull, duan të ulin emetimet e gazrave serë me 70% deri në vitin 2030 (duke marrë si pikënisje vitin 1990), në vend të objektivit ekzistues prej 55%. Ata do të dyfishonin nivelin e taksave të karbonit, do të vendosnin objektiva më të ashpra për burimet e rinovueshme në prodhimin e energjisë dhe do të përshpejtonin mbylljen e termocentraleve me qymyr në Gjermani.

Edhe në fusha të tjera, programi i Partisë së Gjelbër është një alternativë e mirëfilltë. Të Gjelbrit do të jenë më të hapur për të shpenzuar para, si në nivelin europian, në formën e më shumë fondeve të mbështetura nga BE për investime në vendet më të dobëta, ashtu edhe në vetë Gjermaninë, ku shtrëngimet ndaj financimit të deficitit kanë rezultuar në një infrastrukturë të vjetruar. Të Gjelbrit janë të ndarë në lidhje me politikën e jashtme, por mund të jenë më të rreptë ndaj Rusisë dhe Kinës dhe më pak të prirë për të vënë tregtinë përpara të drejtave të njeriut.

Në të kundërt, CDU/CSU do të ofrojë të njëjtën vazhdimësi. Kjo në fakt është tërheqëse për shumë gjermanë, veçanërisht ata që kanë frikë se të Gjelbrit janë kundër biznesit. Partitë kanë fituar më shumë vende parlamentare se të tjerat në çdo zgjedhje federale që nga viti 2005. Laschet, një njeri i kujdesshëm, dhe i prirë drejt konsensusit, ka demonstruar se është këmbëngulës, edhe pse i mungon karizma e rivalit të tij nga CSU, Markus Söder.

Sidoqoftë, në një mënyrë apo në një tjetër, e ardhmja e Gjermanisë duket më e gjelbër – dhe po ashtu e Europës. Edhe nëse zonja Baerbock nuk arrin të bëhet kancelare, shifrat tregojnë se do të jetë e pamundur të ndërtohet koalicioni i ardhshëm qeverisës pa përfshirë të Gjelbrit. Popullariteti i Social Demokratëve, ka rënë ndjeshëm dhe janë rritur parti si e djathta ekstreme Alternativa për Gjermaninë dhe lëvizja liberale Demokratët e Lirë. Kështu që zonja Baerbock do të ketë shumë gjëra në favorin e saj.