Nga Flamur Kuçi/

Humbja e zgjedhjeve doli të ishte një mundësi e humbur për PD, por keqadministrimi i humbjes po kthehet mundësi e humbur edhe për nje reflektim serioz mbi gjendjen dhe prespektivën e vetë PD-së. Është banale që kasta, që aktualisht nuk udhëheq, por sundon në PD, shpërtheu me një mllef ndaj popullit që nuk ia paska ditur vlerat opozitës dhe e la atë sërish në opozitë. Nuk mund të gjesh një qëndrim më absurd dhe apolitik sesa ky sipas të cilit populli ia paska për borxh votën PD-së pavarësisht nga sjellja e saj, dhe nëse nuk ia jep këtë votë, kjo do të thotë që ky popull qënka i shitur tek pushteti. Ta shohësh problemin tek populli dhe jo tek keqadministrimi i besimit të mbështetësve është jo vetëm qëndrim idiot, por edhe i padenjë.

Rezultati kërkon shpjegim politik dhe jo shpjegim kriminalistik. Fenomenet negative si përdorimi i makinerisë shtetërore dhe sidomos shit-blerja e votës është një faqe e zezë për shoqërinë, politikën dhe sistemin zgjedhor. Por kush është angazhuar në fushata zgjedhore e di që këto fenomene, megjithë ndotjen e padiskutueshme që i japin sistemit, nuk përcaktojnë rezultatin sidomos kur kur ka një frymë të qartë të vullnetit politik të popullit. Opozita nuk e fitoi besimin e njerëzve, ndaj dhe humbi zgjedhjet. Tentativa për të argumentuar se PD është në rrugë të mbarë dhe ka rritje të mbështetjes, përveçse e pavërtetë është dhe joserioze.

Është e pavërtetë pasi e tregojnë shifrat. PD nuk ka fituar terren nga 2013, madje i mungojnë numrat edhe në raport me humbjen e thellë të vitit 2013. Ajo që në aparencë duket si rritje është veçse asgjesimi i partive ‘aleate’ të cilave PD ka 3 palë zgjedhje që u ofron në vënde të sigurta mandate të pamerituara në kurriz të votave të vetë PD. Madje Basha edhe pse e përçau të djathtën (edhe pse kish premtuar që do e bashkonte atë) nuk mund t’u ankohet partive që dolën nga PD pasi ato nuk arritën të përformojnë dhe të jenë faktor në proces.

Nga ana tjetër rritja e përqindjes nga 35,6% në 39,4% vjen si rrjedhojë e rënies së pjesmarrjes në zgjedhje në raport me 2013, çka është tejet e panatyrshme për një opozitë. Si rregull, renia e pjesmarrjes ne zgjedhje eshte shenjë mosbesimi ndaj opozitës. Prandaj shifra qe duhet të terhiqte vëmendjen e opozitës për të analizuar zgjedhjet nuk është shifra 39% e votës opozitare, por shifra 173.000 votues më pak. Opozita rritet me pjesmarrjen në zgjedhje dhe jo e kundërta.

Në raport me të majtën PD duket që është në humbje të qartë terreni. PS ka rritur dukshëm peshën e vet specifike megjithë konsumin e të qënit në pushtet. Edhe sikur të ishte i mirëqenë argumenti i rritjes së PD, ky argument nuk do ishte veçse një kopje e keqe e argumentit të Ramës së vitit 2009 kur pasi i humbi zgjedhjet e atij viti, nuk u dorëhoq dhe qëndroi në krye të PS me pretendimin se kishte bërë progres në raport me zgjedhjet e mëhershme. Asokohe PD e denoncoi këtë qëndrim si i pavirtytshëm, por nuk ngurron të ndjekë këtë mungesë standarti 12 vite më pas. Kjo e bën edhe më joserioz qëndrimin e sotshëm të sundimtarit të PD.

Dhe për më tepër e bën edhe të rrezikshëm. Nëse për Ramën ka funksionuar teorema që me arrogancën e mos-dorëheqjes nga karrikja e kryetarit të PS ka qeverisur kur ka ardhur më pas në pushtet, mund të konkludohet që po kjo arrogancë e kastës sunduese të PD do jetë edhe qasja në pushtet, nëse ndonjëherë PD do ia dalë të vijë në pushtet. Bashës i është kërkuar doreheqja, por dorëheqja është akt i vullnetit të njerëzve të përgjegjshëm dhe seriozë.

T’ia kërkosh këtë një njeriu pa vullnet, të papërgjegjshëm dhe banal është formalitet. Për shkak të papërgjegjshmërisë së tij, nuk ka as lirinë e dorëheqjes. Madje edhe ideja e nxitur nga kuratorët e tij sipas së cilës ‘Luli ka përgjegjësi, por nuk ka kush e zëvëndëson’, veçse e banalizon më tej diskutimin mbi prespektivën e PD, kur ëshë sekret publik fakti që atrofizimi i mjedisit në PD është bërë qëllimisht nga faktorët realë në PD që t’I hapej rruga këtij kandidati mançurian. E thënë kjo, po kaq joserioze është të reduktohet problemi veç të Luli dhe tek dorëheqja e tij. A thua se po iku Luli u zgjidhën hallet e PD.

PD ka nevojë për procese serioze dhe të thella reformuese. Dhe këto janë çështje vullneti. Paketimi i një debati joserioz dhe të reduktuar në dorëheqjen e Lulit dhe zgjedhjen e mançurianit të radhës nga faktort realë vendimarrës në PD siguron sundimin brenda PD por ia shkurton ditët asaj. PD ka rrugë të gjatë për të fituar besimin e njerëzve dhe besimi fitohet veç prej proceseve të debateve serioze dhe jo atyre të drejtuara në distancë.

Nëse faktorët realë vendimarrës në PD do vazhdojë të stimulojnë një debat të impostuar joserioz siç po ndodh aktualisht, kjo është shenjë që më shumë se e ardhmja e PD ata janë të shqetësuar për sundimin e tyre brenda PD, të ndërgjegjshëm që kështu veçse do e atrofizojnë më shumë. Nëse faktorët vendimarrës në PD do tregojnë vullnet për një reformim real të PD, kjo do duket nëse do stimulojnë një debat serioz dhe analitik mbi dështimet e deritanishme, sfidat që ka kjo parti dhe rrugët për një prespektivë reale përfaqësimi të mbështetësve të djathtë të zhgënyer edhe me vetë PD.