Mesditën e sotme Departamenti Amerikan i Shtetit bëri me dije nëpërmjet Sekretarit të Shtetit Antony Blinden, se është marrë vendimi që ish-Presidentit Sali Berisha dhe familjarëve të tij të shpallen “non grata” si persona të padëshirueshëm.

Uashingtoni sillte si argument korrupsionin e Berishës si ish funksionar i lartë si dhe përdorimin e pushtetit për të pasuruar familjarët dhe aleatët.

Pas këtij vendimi të bujshën, tashmë qartazi duket se radhën e ka pikërisht aleati më i madh i Berishës i cili është presidenti Ilir Meta.

Ky i fundit bashkëndan me Berishën një pjesë të rrugëtimit të tij politik si dhe ka mbi kurriz mjaft çështje të hapura me drejtësinë.

Jo vetëm se do të shkarkohet nga posti i Presidentit, se kjo tashmë nuk diskutohet më, por nga analiza e lëvizjeve të fundit duket se do t’i bashkohet Berishës në “listën e zezë” të amerikanëve.

Shtuar këtu edhe deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila ka qenë e qartë me qëndrimin e saj, duke e paralajmëruar disa herë Ilir Metën me mesazhe direkte dhe indirekte.

Mjafton të kujtojmë deklaratën e saj të fundit gjatë intervistës në Opinion, ku theksoi, se nuk janë artikulimet e saj personale dhe se nuk janë qëndrimet e saj personale, ato që deklaron, por janë qëndrimet e Departamenti Amerikan të Shtetit.

Pra, qartazi mesa duket pas ish-Presidentit Berisha të gjitha sinjalet njoftojnë se e ka radhën Presidenti Ilir Meta.

Ky i fundit, përpara se të shpallet “non grata” në SHBA, duket se do të ketë një tjetër hall të madh, hetimet e SPAK dhe dosjet kofidente, që thuhet se disponojnë Shtetet e Bashkuara dhe ai vetë i përmendi në intervistën me Çim Pekën.

Dhe pas shkarkimit si President ndoshta do të ketë fatin akoma më të keq për të qenë shembulli i parë i drejtësisë së re.

Sinjalet amerikane mbase janë sinjalet më të qarta për nisjen e një etape të re për shtetin ligjor dhe shkëputjen e plotë nga tranzicioni i shtërgjatë që ka prodhuar vetëm kriza. (TemA)