Christian Panucci, ish-mbrojtësi i Milanit, Interit dhe Romës, ndër të tjera, ish-trajner i kombëtares së Shqipërisë, vlerësoi situatën në Serie A, ku disa skuadra luftojnë për zonën Champions. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, me Interin tani një hap larg titullit, vëmendja e tij shkoi në mënyrë të pashmangshme në rivalitetin mes skuadrave të tjera. Një sprint i vërtetë si në çiklizëm mes Atalanta, Napoli, Juventus dhe Milan, të ndara në renditjen aktuale me një hendek prej dy pikësh, pa harruar Lazio, -5 pikë nga vendi i katërt, por me një ndeshje më pak. Viti i komplikuar i Juves dhe titulli në drejtimin e Interit:

“Gjithçka varej nga Juve, që nuk i përmbushi pritshmëritë. Bardhezinjtë dështuan në Champions dhe mendova se do të kompensoheshin në kampionat. Unë nuk prisja një Serie A që u fitua praktikisht kaq herët, por nuk do të thotë se nuk është i duhuri. Interi bëri shumë mirë, Juventusi bëri keq. Numrat i njohim të gjithë, këtë analizë do të bënin të gjithë, nëse janë intelektualisht të sinqertë. Dhe në fakt Pirlo ishte i sinqertë: ai tha se është i pari i palumtur për atë se si shkuan gjërat. Juventusi ka ekipin më të fortë, por kurrë nuk dha përshtypjen se ishte në gjendje ta fitonte kampionatin”.

Disa fjalë edhe për kontributin e Cristiano Ronaldos: “Po të isha te Juve do të thosha: shyqyr që Ronaldo është këtu. Golashënuesi më i mirë me 25 gola dhe qenka bërë ai problemi?! Në Itali mendojmë në mënyrë kontraverse”. Një gjykim mbi përvojën e parë të Andrea Pirlos si trajner: “Po nisem nga eksperienca personale me Livorno, Ternana, Shqipërinë. A mund të jetë ndonjëherë problem trajnimi i Juves? Kushdo që ka luajtur në nivele të caktuara di si të menaxhojë një dhomë zhveshje kaq të rëndësishme. Përvoja nuk ka të bëjë asgjë me këtë”.

Panucci ka disa fjalë edhe për rënien e Milanit: “Kuqezinjtë kanë luajtur pothuajse vazhdimisht për një vit e gjysmë; pritej një rënie e tillë. Sidoqoftë, tani duhet të shtrëngojnë dhëmbët, të tregojnë vlerat e Milanit. Mënyra se si e ndërtuan sezonin, sigurisht që e meritojnë Champions-in. Ama, si skuadër nuk janë më të fortë se Napoli ose Atalanta”.