Oferta turistike e Lezhës për këtë sezon veror u prezantua sot në një takim të organizuar në bregdetin e Shëngjinit me pjesëmarrjen e operatorëve turistikë dhe drejtues të pushtetit lokal.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh se është krijuar një platformë online me qëllim promovimin dhe thithjen e sa më shumë turistëve.

“Po e konkludojmë si ide. Ndërkohë që po përgatitim një platformë dixhitale, ku çdo element deri në imtësi që ofron Lezha do të jetë online”, tha Ndreu.

Ai u ndal edhe te punimet në infrastrukturë që do të realizohen për ta pasur një sezon suksesshëm.

“Do merren edhe masat për realizimin e një plazhi në një pastërti shembullore, më mirë se vitin e kaluar, duke ndërhyrë e duke kuruar disa pjesë të territorit që ndonëse vjet nuk i kapëm dot, por që sivjet do të jenë gati. Mund të përmendim ndriçimin e rrugës që është një gangrenë nga Lezha në Shëngjin mendoj se do i japim një tjetër cilësi shërbimit të plazhit sivjet”, tha Ndreu.