Tiranë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë ndjekur fillimin e procesit të vaksinimit për punonjësit e transportit publik në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
“Sot kemi filluar me një tjetër grup risku, që janë punonjësit e transportit publik qytetas dhe ndërqytetas. Kemi filluar sot në të gjithë Shqipërinë. Janë kryesisht punonjës të transportit publik dhe gjithashtu edhe shoferët e taksive. Në tërësi janë mbi 4700 të punësuar dhe vetëpunësuar dhe organizimi po bëhet nëpërmjet shoqatave dhe me Drejtorinë e Rrugëve dhe të Transportit”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se do të vijojë vaksinimi i kombinuar, i personave mbi 60 vjeç me punonjësit e shërbimeve kritike, teksa shtoi se me mbërritjen e dozave të tjera të vaksinës së Sinovac, pritet të ulet edhe fasha e grupmoshës për vaksinimet.
“Më shumë se 250 mijë qytetarë kanë kryer edhe dozën e dytë të vaksinës. Po ecim me ritme të mira drejt objektivit 1 milion vaksinimeve deri në fund të qershorit, duke vijuar kalendarin tonë të vaksnimit të kombinuar dhe sigurisht duke synuar uljen e grupmoshës nën 60 vjeç”, nënvizoi Manastirliu.
Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, Ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi lehtësimin e masave në mbledhjen e nesërme të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama foli për një lehtësi të masave dhe sezonit turistik.
“Jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit, por është shumë, shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se sidoqoftë, nuk kemi parashikueshmëri të plotë 100% lidhur me rrugën drejt daljes së plotë nga ky tunel dhe për këtë arsye duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Nesër Komiteti do dalë me planin e ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për një sezon turistik shumë më të lehtësuar se sezonin e kaluar besoj do të realizohet”, deklaroi Kryeministri Rama.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer mbi 11 mijë vaksinime, ndërsa që prej fillimit të procesit të vaksinimit në vendin tonë janë kryer në total 736,365 doza të vaksinës antiCOVID19. Prej tyre 258,606 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Vijon vaksinimi I kombinuar i grupmoshës mbi 60 vjeç me punonjësit e shërbimeve kritike. Më shumë se 6 mijë punonjës të hoteleri-turizmit janë vaksinuar deri tani dhe mbi 9 mijë punonjës të fasonerive, ndërsa sot nisi grupi i ri që do të vaksinohet, që janë punonjësit e transportit publik, ku janë parashikuar të vaksinohen mbi 4700 punonjës. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.