“Shqipëria po ndryshon”? Po. Është një rrugë që na bashkon? Po. Por këtë radhë ky nuk është as një sllogan elektoral dhe as një tekst kënge për fushatën e PD në zgjedhjet e 2009. Rruga që na bashkon me SHBA në këto momente, është ajo drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Destinacionin shqiptar drejt Brukselit, nuk mund ta ndalë më dot askush!

“Shqipëria po ndryshon”, është tashmë, një realitet gjithnjë e më i prekshëm. Sepse ka nisur një erë e re. Pasi po mbyllet njëherë e përgjithmonë, epoka e vjetër e pandëshkueshmërisë. E ka hapur të dyja kanatat e portave të saj, një epokë e re. Është epoka që shqiptarët e kanë ëndërruar përjetësisht.

Nuk ka ardhur vërtetë ajo epoka e artë, që Napoloni e përcaktonte si gënjeshtrën më të madhe në botë, ku “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”. Por ka ardhur periudha që nuk e kemi patur kurrë në histori. Është ajo koha e re kur askush nuk mund të jetë më mbi ligjin. As Sali Berisha. As Ilir Meta. Dhe asnjë lider tjetër. Qoftë ai aktual, qoftë ai lideri i 30 viteve të shkuara, apo i 30 viteve të ardhshme.

Ambasadoja e SHBA Yuri Kim, nga qyteti i Vlorës ka artikuluar sot një përkufizim për të gjithë atë që po ndodh në Shqipëri, pasi sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken e shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij “non grata”. I ka vënë sot një diçiturë, fotografisë së orëve interesante, të kësaj jave.

“Shqipëria po ndryshon”,- tha kryediplomatja amerikane në Shqipëri. Duke shtuar: “Shqipëria do të jetë një anëtare e BE, është një aleat dhe mike e SHBA. Sundimi i ligjit duhet të mbizotërojë. Për të arritur këtë, askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të marin fund. Ky nuk është thjeshtë një projekt juaji, por një projekt që mund ta bëjmë bashkë”.

Nga “Shqipëria po ndryshon” e Sali Berishës, si slogan i fushatës elektorale të PD për të fituar një mandat të ri qeverisës këtu e 12 vjet më parë, tek “Shqipëria po ndryshon” e Yuri Kim për projektin e Shqipërisë së 12 viteve të ardhëshme, ndodhet në mes një oqean i tërë. Është oqeani që ndan të shkuarën e elitës së vjetër e të korruptuar politike të Tiranës, që duhet ndëshkuar përmes sistemit të ri të drejtësisë, me Washingtonin zyrtar. Ndan të djeshmen, nga e nesërmja. Të shkuarën, nga e ardhmja, e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

“Shqipëria po ndryshon” e Sali Berishës ishte Shqipëria që sapo ishte futur në NATO nga SHBA, për të forcuar pavarësinë e Kosovës, e për të ruajtur balancën e forcave në interes të stabilitetit të Ballkanit. Sali Berisha e humbi garën me historinë. Sepse as nuk iku nga politika aktive në kohën e duhur, as nuk e kuptoi se cikli i tij ka marë fund më 2013 dhe të ardhmen drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE tashmë, nuk mund ta pengonte dot as drejtësia e vjetër, as Adriatik Llalla, as ai vetë dhe as Ilir Meta.

Yuri Kim është “zëdhënësja” e këtij ndryshimi të thellë e revolucionar që po ndodh në Shqipëri. Kush nuk e kupton mesazhin e saj se “Shqipëria po ndryshon”, nuk do që ta mësojë leksionin Nr. 1 që të jep historia: SHBA nuk mund ta humbi dot kurrë bastin e saj në Shqipëri. Sepse SHBA është një fituese e përherëshme, kur vjen puna për realizimin e projektit të saj shqiptar në Ballkan. Për ta çuar deri në fund atë, nuk mund ta pengojë dot asnjë superfuqi në botë, e jo më Sali Berisha dhe Ilir Meta në Tiranë.

AlpeNews