Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj paraqiti në seancën plenare të radhës, Aktin Normativ të ndryshimit të buxhetit, i cili parashikon një shtesë fondi prej 2 miliardë lekë për Fondin Rezervë, me destinacion blerjen e vaksinave antikovid. Gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj vlerësoi, se vaksinimi do të vijojë të mbetet një nga prioritetet e deklaruara të qeverisë shqiptare. “Rrjedhimisht, për të arritur imunizimin e të gjithë popullatës së vendit, objektivi ynë i përbashkët mbetet vaksinimi i 2.2 milionë qytetarëve shqiptarë, për të cilët nevojiten 4.4 milionë doza vaksinash”, u shpreh ajo. “Deri më sot qeveria shqiptare ka nënshkruar kontrata për sigurimin e 2.2 milionë dozave të vaksinave, doza të cilat janë në përdorim dhe në proces të vaksinimit të popullatës. Megjithatë, për përmbushjen e objektivit të imunizimit ndaj Covid-19 kërkohen dhe 2.2 milionë doza të tjera vaksine, e përkthyer në vlerë monetare, bazuar në çmimet e vaksinave, kjo nënkupton një financim shtesë për 2 miliardë lekësh të dedikuar për blerjen e vaksinave”, u shpreh ministrja.

Qeveria shqiptare pranoi propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për të alokuar buxhetin e nevojshëm në rezervën e buxhetit të shtetit, në përdorim sipas nevojës për çdo zhvillim në vijim.

Duke iu referuar performancës së treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3-mujore (janar-mars 2021), ministrja Denaj tha se është reflektuar një ecuri pozitive në arkëtime dhe shpenzime.

Kështu bazuar në vlerësimet mbi ecurinë e deritanishme të treguesve të buxhetit 2021, si edhe pritshmërinë e performancës së tyre deri në fund të vitit 2021, ky Akt Normativ përcakton vetëm një ndryshim kyç i cili ka të bëjë me shtesën me 2 miliardë lekë në Fondin Rezervë të Këshillit të Ministrave, me qëllim përballimin e shpenzimeve të blerjes së vaksinave gjatë vitit 2021, si edhe të shpenzimeve të tjera eventuale të qeverisë që lidhen me pandeminë COVID-19.

Shtesa në të njëjtën masë, pra 2 miliardë lekë është parashikuar dhe në zërin e të ardhurave tatimore, të cilat balancojnë ndërhyrjet në buxhet, por nuk prekin parametrat kyçë makrofiskalë. Indikatorët si deficiti buxhetor dhe borxhi publik mbeten të pandryshuara dhe në përmirësim drejt një konsolidimi fiskal afatmesëm.