Javën që nis këtë të hënë me ditën e fundit e muajit maj, vendi ynë futet në stinën e verës por duket se moti ende vijon të jetë relativisht i paqëndrueshëm. Për ditën e nesërme (eHënë) moti parashikohet fillimisht me diell. Por nga orët e mesditës deri ato të pasdites pritet të ketë shtim vranësirash mesatare deri të dendura.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët, por lokalisht reshjet do të jenë me intensitet mesatar në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Po njësoj edhe dita e Martë e cila parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme.

Por, ndryshe nga e Hëna, reshjet do të jenë me intensitet të ulët në formë pikash dhe vetëm lokalisht në male në formë shtrëngatash afatshkurtra. Duke nisur nga dita e Mërkurë deri ditën e Premte mbi territor fillon qarkullimi i masave ajrore të qëndrueshme. Moti do të jetë kryesisht i kthjellët, por nuk do të mungojnë vranësirat kalimtare në orët e mesditës.