Nga Frrok Çupi/

Thonë se nesër, e diele, në Partinë Demokratike do të mblidhet ‘biroja’ komplet dhe do të rrahin çështjen e kryetarit: Të votohet Luli, dmth ky që është, apo një tjetër!
Ka edhe një mbulesë polito- filozofike që mbështjell vanitet: ‘Pse Luli nuk vret të atin’, dmth., të atin politik. Po ç’është kjo punë, ore?! I kërkoni Lulit të vrasë të atin, domethënë të vrasë veten? Për herë të parë ia kërkoni Lulit që të zgjidhet me vota në PD? Kjo, dmth zgjedhja me vota, do të ishte hera e parë në këtë parti demokratike (!).

Ka pasur edhe një herë të parë, por edhe ajo u fik brenda një ore. Domethënë ka pasur vetëm një herë kur në PD kryetari u zgjodh me vota. Kjo ndodhi rreth mesnatës, por në ora 02.00 të mëngjesit, kryetari i zgjedhur atë mesatë, nuk ekzistonte më. Ka qenë shkurt i vitit 1991. PD e sapo krijuar kishte, jo forume normale, por një sajesë masovike që quhej ‘Komisioni Nismëtar’ dhe në krye kishte Azem Hajdarin. Kuptohej lehtë pse ishte sajuar kjo krijesë hermafroditë: Pritej se kush do të ishte më i forti që të pushtonte partinë. Kjo ishte ajo nata kur ndodhi votimi për herë të parë. Azemi u spostua, sepse ‘nuk kishte kulturë sa të merrej vesh me të huajt’. Anëtarët e Komisionit, afër mesnatës, erdhën në redaksinë e Rilindjes Demokratike, ishin 13. Tre prej tyre kandiduan si kryetarë: Meksi, Pashko dhe Berisha.

E vetmja herë me votim të fshehtë. Kur u numëruan votat, aty plasi lufta. Meksi kishte fituar 9 vota, Berisha 2 dhe Pashko 2 vota. Dhoma e mobiluar me dy tre stola lulishteje, ishte e shtruar me dërrasa; ç’kanë hequr ato dërrasa nga shkelmat e Berishës që pikaseshin më mirë për shkak të këpucëve që dukeshin se ishin nga Franca.
U çmend rruga ‘Fortuzi’ nga të bërtiturat dhe shkelmat. Në lagje nisën të ndizeshin dritat nëpër apartamente; çudia po ndodhte. Azemi tha se “e lashë postin që ta marrë një tropojan, jo një i jugit” dhe iku nga Partia. Pas tij edhe Ben Imami. Kiamet i madh. Vetëm kur i thanë Berishës se ‘do ta zgjidhim, po pusho se na dëgjon Sigurimi’, vetëm atëherë mbajti një pauzë. Leka Meksi i tha ‘Sali, të jap unë votat e mija, ta zëmë se ti je Meksi e unë Berisha’. Mirëpo këtë nuk e ‘hëngri’ doktori. Atëherë u anulua zgjedhja e kryetarit dhe e lamë për 14 shkurt (sa mbaj mend), në Pallatin e Kulturës. Erdhën nga rrethet. Te dera e sallës së madhe dy a tre nga Komisioni porosisnin të ardhurit ‘Votoni Berishën, ë!? Kuptuat?’

”Po, kuptuam’. Kështu u bë. Asnjëherë më kryetari i Partisë Demokratike nuk u zgjodh me vota. Berisha herë emëroi veten, e herë emëroi veten të quajtur ‘Eduard’, e herë emëroi veten të quajtur ‘Tritan’, por kurrë nuk u votua e nuk u bënë zgjedhje në Partinë Demokratike. Vetë Luli u vu aty me dorën e Berishës. Vendi i Lulit u pagua shtrenjtë, me vdekjen e rivalit të tij Olldashi. Po tani çfarë i kërkohet Lulzim Bashës, që të votohet në PD? Këta njerëz që e kërkojnë këtë gjë, bëjnë si leshko. Kërkojnë ‘votime’ duke dashur t’i afrohen Berishës. Po vallë, t’i jep Berisha çelësat e kullës ku ka ‘thesaret’ e 30 vjetëve? Ky lloj njeriu është leshko.

Këta njerëz bëjnë sikur Basha është ‘i keqi’ por në një ‘parti të mirë’. Tmerr. Me këto mend, sikur këta të vijnë në vend të Bashës, do t’i bënin vendit të njëjtën të keqe mizore që i ka bërë PD që pas vitit 1996: Manipulim zgjedhjesh, grabitje, korrupsion, vrasje, zhdukje njerëzish, luftë, sulm i armatosur kundër popullsisë civile, vrasje protestuesish, dhunë mbi opozitën, padrejtësi…

Këta që i kërkojnë Bashës atë që s’e kanë bërë kurrë, nuk e kanë idenë se në PD, e para punë është ndarja nga historia e saj e frikshme. A duan t’i lënë këtij vendi litarin e PD jashtë sallës ku bëhet lufta për kryetar?… Po kur thonë se Luli duhet të ‘vrasë të atin’? ‘Ati’ Berisha ka qenë aq i frikshëm saqë secilin prej tyre e ka bërë një ‘atë’ të vogël. E këta duhet që secili ‘të vrasë vetën si atë’? PD tash është vetëm si skenë e një teatri të vjetër.