Mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta Dollenberg ka bërë apel për qytetarët që të vijojnë të respektojnë masat anti-COVID. Në një lidhje me Skype për “Report Tv”, Dollenberg tha se Shqipëria është në rrugën e duhur sa i përket vaksinimeve, por theksoi se pandemia nuk mposhtet vetëm me vaksinat. Ajo u shpreh se nevojitet domosdoshmërish respektimi i të gjitha rregullave anti-COVID për të mos rrezikuar përballjen me një valë të tretë të pandemisë.

“Pandeminë nuk e kalojmë dot vetëm me vaksinën, janë të domosdoshme që qytetarët t’i përmbahen rregullave të higjienës, distancës sociale sepse shifrat gënjejnë. Nëse do kemi një rënie të incidencës së rasteve të reja në këto dy javë, nuk do të thotë që pas disa javësh do jetë e njëjta situata, mund të ndodhë që duke mos respektuar rregullat, të gjithë kontribuojnë që pas 3 apo 4 javësh të kemi një valë të tretë të pandemisë në Shqipëri,. Të gjithë jemi përgjegjës për të mposhtur pandeminë dhe kjo nuk ndodh vetëm me një vaksinë. Duhet luftuar çdo ditë kjo pandemi”, tha ajo.

Ajo u shpreh optimiste për situatën në Shqipëri dhe verën që po vjen, ndërsa shtoi se në vjeshtën e këtij viti, bota pothuajse do ta ketë kapërcyer luftën me pandeminë

“Unë jam optimiste për Shqipërinë dhe verën që na pret, por është një optimizëm që duhet shijuar me kujdes dhe të mos harrojmë që jemi ende në pandemi. Shifrat e vaksinimit tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Në Shqipëri është vaksinuar 9% e popullatës, duhet të punohet fort këto muaj, sepse nëse vaksinojmë 20% të popullatës, kalojmë në fazën finale të kalimit të pandemisë dhe aty çdo gjë bëhet më e lehtë. Në vjeshtën e këtij viti do ta kemi këtë pandemi thuajse të kapërcyer, shumica e popullatës në botë do të jetë vaksinuar. Urojmë që vaksina të jetë vetëm njëherë për qytetarët dhe nga viti që vjen të jetë e nevojshme vetëm për disa kategori të caktuara”, shtoi ajo.

Shqiptarja.com