N’Golo Kante padyshim se ishte lojtari më i mirë i Chelseat në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester City e cila u zhvilluar të shtunën dhe “Blutë” e Londrës triumfuan me rezultat minimal 1-0 me golin e realizuar nga Kai Havertz.

Francezi ishte lojtari që shkatërroi shumë aksione të skuadrës së Pep Guardiolas duke mos pushuar asnjëherë brenda 97 minutave lojë në “Dragao”.

Karriera e Kantes ka marrë një kthesë të çuditshme që prej kohës kur debutoi tek skuadra franceze Caen në vitin 2014.

Në vitin 2015 Kante u transferua te Leicester City për 9 milionë euro dhe vetëm pas një viti e fitoi titullin e kampionit në Premierligë me këtë skuadër.

Pastaj në vitin 2017 kaloi tek Chelsea dhe e fitoi sërish titullin e kampionit me këtë ekip që u pasua vetëm një vit më vonë me titullin e kampionit të botës me Francën në vitin 2018.

Kante vazhdoi edhe më tutje me suksese të pabesueshme. Në vitin 2019 ai e fitoi Europa Ligën me Chelsean kurse tani edhe Ligën e Kampionëve për edicionin 2020/21.