Sot u zhvillua mbledhja e Këshillit Konsultativ mes qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, një organ shumë i rëndësishëm, i cili konsulton të gjitha projekt-aktet dhe vendimet e qeverisë të cilat kanë një ndikim mbi pushtetin vendor.

Sot u miratuan 6 projektakte të rëndësishme, të cilat u sollën në diskutim përballë me pushtetin vendor.

Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko u shpreh pas takimit se, sot u miratua, së pari, “projektvendimi për “Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030″ dhe projektvendimin “Për mekanizmin e bashkërendimit të punës ndërmjet autoriteteve përgjegjëse për referimin e rasteve të dhunës në familje si dhe procedimin e tij për mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës”.

“Me miratimin e këtyre akteve, u hapim udhë angazhimeve dhe veprimeve konkrete për një zhvillim të qëndrueshëm, për një shoqëri të barabartë për të gjitha grupet dhe gjinitë, për adresimin e problematikave të vjetra dhe të reja, për tolerancën zero ndaj dhunës me bazë gjinore dhe respektimin e të drejtave të çdo individi në të gjitha fushat e jetës. Këto prioritete të Qeverisë gjetën mbështetjen edhe nga përfaqësuesit e pushtetit vendor, të cilët kanë një rol kyç në zbatimin e tyre. Detyrat dhe përgjegjësitë që përcaktohen për njësitë e qeverisjes vendore janë të qarta dhe synojnë ofrimin e shërbimeve në komunitet në përputhje me aktet në fuqi”, u shpreh Kuko.

“Gjithashtu gjatë kësaj mbledhje miratuam projektvendimin “Për organizimin, funksionimin dhe mënyrën e përfaqësimit të organeve të qeverisjes vendore në Këshillin Konsultativ trepalësh rajonal” një akt i propozuar nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë; projektvendimin “Për përcaktimin e detyrave dhe bashkëpunimin e njësive të qeverisjes vendore me shërbimin veterinar” sjellë për diskutim nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural; Projektvendimin “Për kosto e përllogaritura për pyllëzim kompensues në rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor” prezantuar nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit; si dhe projektvendimin “Për caktimin e procedurave dhe mënyrat e administrimit të bazës së të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura”, propozuar nga Ministria e Kulturës”, tha ajo.

“Të gjitha projekt-aktet kanë ndikim në qeverisjen vendore, ndaj procesi i konsultimit të tyre në Këshill Konsultativ është mjaft i rëndësishëm dhe i paraprin gjithashtu vendimit të Këshillit të Ministrave. Sugjerimet dhe mendimet e përfaqësuesve të pushtetit vendor, siç e thashë edhe më parë, u përcillen ministrive të linjës duke përfshirë gjithashtu edhe vendimmarrjen në nivel vendor”, theksoi Kuko.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili është edhe bashkëkryetar i Këshillit Konsultativ, tha se, “roli i Këshillit Konsultativ në procesin e decentralizimit në Shqipëri është i pa zëvendësueshëm, ndaj ne së bashku inkurajojmë inicimin e reformave dhe adresimin e problematikave ligjore nga bashkitë dhe institucionet e tjera të qeverisjes vendore, si dhe përfshirjen e të gjithë faktorëve të qeverisë qendrore, bashkive dhe qarqeve, dhe sigurisht shoqatave që advokojnë interesat e përfaqësuesve vendorë që të jenë sa më aktivë dhe të kontribuojnë në funksion të procesit të decentralizimit dhe të forcimit të demokracisë vendore”.

“Në këto vite të ekzistencës së tij ky këshill, pra Këshilli Konsultativ shënohet si një histori suksesi pa dyshim, sepse ka arritur të bëjë të dëgjohet zëri i qytetarëve përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur në bashki, në këshilla bashkiakë dhe ato të qarqeve. Ky progres nuk duhet të ndalet, por duhet të vazhdojë të thellohet. Këshilli natyrisht duhet të intensifikojë iniciativat që dalin nga njësitë bazë apo nga grupe të tjera interesi, dhe që kanë efekte gjithëpërfshirëse sociale dhe ekonomike për qytetarët”, tha ai.

“Këshilli Konsultativ do të vazhdojë të përmbushë me sukses misionin e tij falë dhe mbështetjes së fortë nga delegacioni i BE në Tiranë, që po asiston këtë forum tejet të rëndësishëm dialogu midis dy niveleve të qeverisjes në Shqipëri”, u shpreh ai.

Këshilli Konsultativ është forumi kryesor konsultues midis qeverisë qendrore dhe vetëqeverisjes vendore; ka si qëllim institucionalizimin e procesit të konsultimit midis dy niveleve të qeverisjes, duke rritur përfshirjen e pushtetit vendor në vendimmarrjen qendrore.